Do të udhëtoni në Evropë? KE prezanton platformën ku mund të merrni informacionet e nevojshme për 27 shtetet

Advertisment

Komisioni Evropian zbuloi në 15 qershor “Re-Open EU“(Rihapja e BE), një platformë në internet për të mbështetur një hapje të sigurtë të udhëtimeve dhe turizmit nëpër Evropë. Platforma do të sigurojë informacione në kohë reale për kufijtë dhe mjetet në dispozicion të transportit dhe shërbimeve të turizmit në vendet e BE.

“Re-Open EU” do të përfshijë gjithashtu informacion praktik të dhënë nga vendet e BE-së për kufizimet e udhëtimit, masat e shëndetit publik dhe të sigurisë, siç është distancimi fizik ose përdorimi i maskave, si dhe informacione të tjera të dobishme për ofertat e turizmit në BE dhe ato kombëtare. Kjo do t’i lejojë Evropianët të marrin vendime të përgjegjshme dhe të informuara mirë se si të menaxhojnë rreziqet e vazhdueshme në lidhje me koronavirusin ndërsa planifikojnë pushimet dhe udhëtimet e tyre gjatë kësaj vere dhe më gjerë.

Reklame

Platforma e Rihapjes së BE-së është pjesë e paketës së Komisionit për Turizëm dhe Transport, e 13 majit 2020, e filluar për të rindërtuar besimin midis udhëtarëve në BE dhe për të ndihmuar turizmin evropian të rifillojë në mënyrë të sigurtë, në përputhje me masat paraprake të nevojshme shëndetësore.

Platforma e re, e cila gjithashtu vjen edhe me një aplikacion në telefon do të veprojë si një pikë referimi kryesore për këdo që udhëton në BE, pasi ai centralizon informacionin e azhurnuar nga Komisioni dhe vendet e BE-së në një vend.

Ai do t’i lejojë njerëzit të shfletojnë informacione, azhurnime dhe këshilla specifike për secilin shtet anëtar të BE-së përmes një harte interaktive. Do të jetë lehtësisht i arritshëm përmes aplikacionit ose uebfaqes, dhe do të jetë i disponueshëm në 24 gjuhët zyrtare të BE-së.