Doktorët: Gjendja shëndetësore e Trumpit po përmirësohet

Advertisment

Gjendja e presidentit të Shteteve të Bashkuara Donald Trump është duke u përmirësuar dhe ai mund të lëshohet nga spitali më 5 tetor, thanë mjekët që merren me trajtimin e tij në Qendrën Mjekësore Ushtarake Walter Reed.

Mjekët thanë se nivelet e oksigjenit të presidentit Trump kishin rënë dy herë shkurtimisht ditët e fundit dhe ai po trajtohet me steroid. Por, ata dhanë një vlerësim optimist të shëndetit dhe perspektivës së presidentit 74-vjeçar.

Reklame

“Pacienti po vazhdon të përmirësohet. Ai ka mbetur pa ethe që nga e premtja në mëngjes, shenjat e tij jetike janë të qëndrueshme”, u tha mjeku Sean Dooley gazetarëve në Qendrën Kombëtare Mjekësore Ushtarake Walter Reed, ku Trump ka marrë trajtim që nga 2 tetori.

Trump dhe Zonja e Parë, Melania, u diagnostikuan me sëmundjen që e shkakton koronavirusi, COVID-19, të premten.

Trump, në të njëjtën ditë, u shtrua në Qendrën Mjekësore Ushtarake Walter Reed.

Në një video katër minutëshe të postuar në Twitter në 3 tetor, Trump tha se ndihej “shumë më mirë” dhe shpresonte që “të kthehej së shpejti” për të përfunduar fushatën përpara zgjedhjeve të 3 nëntorit.

Trump tha se ditët e ardhshme do të jenë “provë e vërtetë” pasi ai falenderoi të gjithë në Shtetet e Bashkuara dhe në të gjithë botën për mbështetjen e tyre.

Ai do të vazhdojë të punojë nga suita presidenciale e spitalit, e cila është e pajisur për ta lejuar atë të vazhdojë detyrat e tij zyrtare, tha Shtëpia e Bardhë.

Sëmundja e papritur e Trumpit është një goditje në fushatën e tij të rizgjedhjes dhe vë në qendër të vëmendjes pandeminë dhe reagimin e presidentit për minimizimin e ashpërsisë së koronavirusit, i cili ka vrarë më shumë se 200,000 amerikanë dhe ka infektuar mbi 7 milionë.

Top Channel