Dr Latifi: Dasmat dhe pushimet verore janë shkak për ritjen e numrit të rasteve me COVID 19

Advertisment

Situata me Covid 19 tanimë një kohë të gjatë vazhdon me intenzitet të njejtë, ndërsa statistikat ditore rrallë herë janë dyshifrore.

Në Maqedoni, më tepër të infektuar kemi në kryeqytet, normalisht pasi edhe numri i banorëve është më i lartë rreth 500 mijë.

Reklame

Periudhën e fundit, statistikat nga Ministria e Shëndetësisë për personat e rinjë të infektuar, shënojnë një ritje të konsiderueshme të të infektuarve edhe në qytete tjera sikurse Kumanova, Gostivari, Shtipi dhe Prilepi.

Veçanërisht në Kumanovë, sot janë regjistruar 26 raste të reja me covid 19. Në këtë qytet, javën e fundit janë regjistruar gjithsej 117 raste të reja.

Drejtori i Qendrës për Shëndet Publik në Kumanovë, Arif Latifi, për Zhurnal shprehet se arsyeja e rritjes të numrit të të infektuarve, janë dasmat dhe pushimet verore.

Ai shprehet se qytetarët nuk po respektojnë masat, apo pjesërisht i respektojnë ato, dhe nga këtu vjen infektimi i njërit tjetrit.

“Sot kemi 26 raste pozitive, të gjithë nga Kumanova. Shkaqet janë: pushimet verore, darsmat që organizohen në ambiente shtëpiake, nuk respektohen ose pjesërisht respektohen rekomandimet e autoriteteve shëndetësore”, thotë Latifi.

Ai më tej shton se si shkak për përhapjen e virusit, është edhe ajo se qytetarët druhen të paraqiten për testim, dhe të njejtën e bëjnë kur fillon t’u përkeqësohet gjendja, gjegjësisht pasi t’u paraqiten më tepër simptoma.

“Paraqitja e vonuar e pacientëve për testim me shumë simptome dhe kjo vonesë kontribon në rrezikimin e shëndetit të njerëzve dhe rritjen e rasteve pozitive”, ka deklaruar Latifi për Zhurnal.

Ndryshe në qytetet tjera situata është stabile. Mund të veçohet si pak jo stabile situata në Gostivar ku në 7 ditët e fundit janë regjistruar 66 raste të reja. Në Prilep në 7 ditët e fundit janë regjistruar 63 raste të reja. Në Shtip në 7 ditët e fundit janë regjistruar 37 raste të reja dhe në Tetovë në 7 ditët e fundit janë regjistruar 35 raste të reja.

Gjendja më shqetësuese edhe më tej ngelet në Shkup ku në 7 ditët e fundit, janë regjistruar përplot 288 raste të reja./Zhurnal.mk