Dr.Shaban Memeti, Docenti i parë shqiptar në Fakultetin e mjekësisë në Shkup

26

Me vendim të Keshillit mësimor-shkencor të Fakultetit të mjekësisë pranë Universitetit “Shën Qirili dhe Metodi” në Shkup, Shaban Memeti është emëruar docent në këtë Fakultet. Vendimi është miratuar më 01.04.2019 dhe në këtë mënyrë Memeti është bëre docenti i parë shqiptar në Fakultetin e mjekësisë në Shkup.

Mememti është drejtor i Institutit për shëndet publik, kurse është emëruar Docent në lëndët Kirurgji dhe Kirurgjia e fëmijëve.

Dr. Shaban Memeti ka lindur më 07.03.1974 në fshatin Dobrosht të Tetovës. Shkollën fillore dhe atë të mesme e ka kryer në Tetovë. Në vitin akademik 1993/ 99 regjistrohet në Fakultetin e mjekësisë në Tiranë, Shqipëri dhe në datë 30.07.1999 i përfundon studimet me mesatare 9,4..

Në mars të vitit 2009 jep provimin specialistik në fushën e kirurgjisë së fëmijëve pranë Fakultetit të mjekësisë në Shkup.

 

Në vitin 2012 regjistron ciklin e tretë të studimeve të larta – studimet e doktoraturës pranë Fakultetit të mjekësisë në Shkup. Tema e punimit të doktoraturës është “Krahasimi i metodës konservative përkundër asaj endoskopike gjatë trajtimit të refluksit veziko-uretral”.

Në periudhën nga muaji gusht i vitit 1999 deri në nëntor të po atij viti punon si mjek në kampin e refugjatëve nga Kosova në fshatin Neproshten, Tetovë (si bashkëpunëtor i organizatës humanitare “Die Johanniter”). Pastaj, nga muaji gusht i vitit 2001 – shtator i vitit 2004 është drejtor i poliklinikës “EM-MEDIKA” në fshatin Dobrosht, Tetovë.

Nga shtatori i vitit 2004 punon si mjek në Klinikën Universitare të Kirurgjisë së fëmijëve – Shkup, ndërsa në prill të vitit 2007 zgjidhet asistent në lëndën e Kirurgjisë pranë Fakultetit të mjekësisë, Universiteti “Sh. Kirili dhe Metodi” – Shkup. Nga muaji tetor i vitit 2009 ushtron edhe funksionin e Drejtorit të Institutit të shëndetit publik të Republikës së Maqedonisë.

Krahas gjuhës shqipe dhe asaj maqedonase, dr. Memeti në mënyrë aktive shërbehet edhe me gjuhën angleze, serbe dhe kroate.

Si autor dhe koautor ka publikuar më shumë se 90 publikime në revista shkencore prestigjioze në vend dhe jashtë vendit, si dhe në konferenca dhe kongrese nacionale dhe ndërkombëtare. Në 5 vitet e fundit ka publikuar 6 punime shkencore me impakt faktor.

Ka marrë pjesë në më shumë punëtori në vend dhe jashtë tij, nga të cilat si më të rëndësishme veçojmë: një numër të madh të punëtorive dhe konferencave të organizuara nga ECDC (Qendra Evropiane për parandalim dhe kontroll të sëmundjeve); punëtoritë e Organizatës Botërore të Shëndetësisë; takimet e Codex Alimentarius; një numër të madh të punëtorive dhe konferencave të B.EN.A. (Balkan Environmental Association – Asociacioni Ballkanik për Mjedis Jetësor).

 

Në vitin 2009 dr. Memeti përfundon trajnimin dyjavor në Repartin e kirurgjisë pediatrike pranë Spitalit Protestant Oberhauzen në Gjermani.

Në vitin 2006 ndjek trajnimin njëjavor për urologjinë e fëmijëve në Universitetin Mansur në Egjipt, ndërsa në periudhën nga 24 – 28 prilli, 2017 dhe 9 – 13 tetor, 2017 merr pjesë në mënyrë aktive në punëtorinë për urodinamikë dhe uroterapi të organizuar nga Klinika e kirurgjisë së fëmijëve në Prishtinë në bashkëpunim me Repartin e kirurgjisë së fëmijëve pranë Spitalit universitar Linkoping, Suedi. Në ndërkohë dr. Memeti i përsosi teknikat dhe qasjet klinike tek fëmijët me infeksione të traktit urinar, sëmundje nga refluksi veziko – ureteral dhe modalitetet për trajtimin e trajtimin e RVU.

Krahas kësaj, dr. Memeti është përfaqësues nacional në EpiSouth Rrjetin për kontroll të sëmundjeve infektive në vendet e Mesdheut dhe Ballkanit (EpiSouth: Network for communicable diseases control in Mediterranean countries and Balkans), si dhe kryetar i Forumit të qendrave mjekësore për trajnim në kuadër të MediPIET – Mediterranean Programme for Intervention Epidemiology Training (Programi mediteran për trajnim për epidemiologji intervente).

Asistent dr. Shaban Memeti është anëtar i Forumit këshillëdhënës të ECDC-së dhe anëtar i Komitetit për mbështetje teknike të Fondacionit nacional për transplantim. Ai është person kontakti në vend i OBSH-së për fushën e Rregullores ndërkombëtare të shëndetit (International Health Regulation); Kryetar i Komitetit nacional dhe person kontakti për Codex Alimentarius; si dhe person kontakti për Marrëveshjen për masat sanitare dhe fitosanitare në kuadër të Organizatës Botërore të Tregtisë.

Dr. Memeti është person kontakti edhe për bashkëpunim në fushën e shëndetit publik me OBSH-në, UNICEF-in. ECDC-në, UNFPA-në, etj.

Asistent dr. Memeti ka qenë anëtar i më shumë komisioneve në Republikën e Maqedonisë në fushën e shëndetësisë, siç janë: Komisioni i barnave; Komisioni në Fondin e sigurimit shëndetësor për trajtimin e pacientëve jashtë vendit; Komiteti për mbrojtjen e mjedisit jetësor, etj.

Gjithashtu, dr. Memeti është anëtar i një numri të madh të shoqatave dhe asociacioneve, si: Oda e mjekëve të Republikës së Maqedonisë (ku njëkohësisht është edhe anëtar i Këshillit drejtues dhe anëtar i Këshillit redaktues të Vox Medici); anëtar i Shoqatës së kirurgëve në Maqedoni; anëtar i Shoqatës së mjekëve, stomatologëve dhe farmacistëve shqiptar në Maqedoni; anëtar i B.EN.A. (Asociacioni Ballkanik për Mjedis Jetësor) dhe anëtar i IANPHI (International Association of National Public Health Institutes – Asociacionit ndërkombëtar të instituteve nacionale të shëndetit publik).