E dehur dhe duke kërcyer, kryeministrja e Finlandës kapet ‘mat’

Kryeministrja e Finlandës është bërë sërish lajm në mediat ndërkombëtare, pasi në rrjetet sociale është publikuar një video e saj duke kërcyer e kënduar me një grup miqsh.

Përveç një lumi kritikash ku ajo cilësohet si jo e denjë për të qeverisur vendin, partitë opozitare në Finlandë po kërkojnë me insistim që ajo të bëjë një test nëse ka marrë apo jo lëndë narkotike.

36-vjecarja mohoi të kishte marrë ndonjë substancë narkotike, duke thënë se ajo kishte pirë vetëm alkool në festën më miqtë e saj.

Kryeministrja më e re në botë nuk e ka fshehur ndonjëherë se i pëlqejnë festat dhe shpesh është fotografuar në festivale .

Duke komentuar videon të enjten, ajo tha se e dinte se po filmohej, por ishte e mërzitur që videoja ishte bërë publike.

“Kam kërcyer, kënduar dhe festuar, gjëra krejtësisht të ligjshme. Dhe nuk kam qenë kurrë në një situatë ku kam parë ose njohur të tjerë [duke përdorur drogë],” shtoi ajo.
“Unë kam një jetë familjare, kam një jetë pune dhe kam kohë të lirë për të kaluar me miqtë e mi. Pothuajse njësoj si shumë njerëz të moshës sime”, u tha ajo gazetarëve.
Politikanja tha se nuk ndjente nevojë të ndryshonte sjelljen e saj. Marin është në pushtet që nga dhjetori 2019 dhe ruan mbështetjen e partisë së saj.