E humbur prej 3 ditësh, gjendet trupi i pajetë i futbollistes shqiptare

128

U zbulua më në fund, pas disa ditësh kërkime, trupi i futbollistes shqiptare Florijana Ismaili, e cila u mbyt në mënyrë tragjike në ujërat e thella të liqenit të Komos të shtunën pasdite.

24 vjeçarja që mbronte ngjyrat e kombëtares zvicerane u zhyt në ujërat e liqenit gjatë pushimeve, por nuk doli dot më, dhe vetëm pas operacioneve të shumta, u zbulua trupi i saj në 204 metra thellësi.

Me anë të një roboti të specializuar për kërkime të tilla, autoritetet në zonën e Musos, zbuluan dhe kufomën e lojtares së Jang Bojs, e cila ishte me pushime me një mikeshë në Komo. Roboti i pilotuar nga sipërfaqja dhe me kapacitet zhytjeje deri në 300 metra, ishte angazhuar nga zyrtarët italianë për të gjetur Florijana Ismailin.

Skuadra e shqiptares, i dedikoi një video prekëse dhe imazhet më të bukura të karrierës me klubin e Bernës.

Tani ngrihen pikëpyetje mbi një tjetër operacion të vështirë, rikuperimin e trupit. Në thellësi të tilla kërkohen manovra të specializuara që do të kërkojnë planifikim, ashtu si në rastin e futbollistit Emiliano Sala, që humbi jetën pak muaj më parë, kur avioni i tij u rrëzua mbi Lë Mansh.