E la Australinë për Kosovë, herë i rruar e herë pa rru, me një çantë në dorë e i heshtur në Prishtinë!

Advertisment

E ka një pamje tipike perëndimore, fare nuk merret me thashetheme! E ka vizionin e tij, ish hendbollisti i kombëtares së Australisë, Taip Ramadani dhe sot është selektor i kombëtares së Kosovës.

E la Australinë për të udhëhequr Kosovën dhe nuk gaboi në asnjë rrethanë sepse solli pozitivitet në kombëtaren tonë! Pikët e para u fituan nga Ramadani, që Federata e Hendbollit i vlerësoi si pikët historike. Kohën kur u mor vendimi që ai ta drejtojë kombëtaren, dikush tha: Po na sjellin një njeri që Australia nuk ka hendboll të mirëfilltë por njihet më shumë për Kengurë! Në praktikë doli ndryshe, erdhi njeriu i duhur dhe solli stabilitetin në kombëtare. Është interesant për djalin nga Karadaku, me thjeshtësinë që ka, herë del i rruar e herë pa rru, me një çantë simpatike dhe e mban me aq lezet në dorë, që aty e mban edhe laptopin dhe të gjitha statistikat e hendbollit. Është kokëfortë, nuk flet asnjëherë pa statistika apo pa letra, gjithmonë i referohet një dokumentit apo edhe një statistike të një lojtari. Gjithmonë kërkon disiplinë në kombëtare dhe për secilin ka statistikën e veçantë. Kur e pyet për diçka gjithmonë i referohet statistikave dhe nuk flet paushall apo me të dëgjuar kafiterive! Brumin që e ka në kombëtare ka bërë mrekulli, sepse i kishte fituar tri pikë në kualifikime për Kampionatin Evropian 2020, ndërsa tani fitoi pikën e parë dhe në shtëpi të Italisë, duke luajtur baras (26:26) në kuadër të grupit 3 të kualifikueseve për Kampionatin Botëror 2021. Sërish i thjeshtë e i heshtur, shikon planin për sfidën me Rumaninë dhe nuk do në asnjë rrethanë të merret me lavde e as nuk lazdrohet e as nuk i vardiset kujt. E kryen punën e tij, por nuk toleron injorant afër vetes./BotaSot