E PUSHTUAR NGA EMOCIONET, FLORA NA JEP LAJMIN E GËZUESHËM! ILAÇI PËR SËMUNDJEN E SAJ ARRIN NË FUND TË JANARIT

Mes lotëve të gëzimit, Flora Gashi ndan lajmin e gëzueshëm se më në fund ilaçi i shumëpritur për sëmundjen e saj të rallë, po vjen. 21 vjeçarja e diagnostikuar me Fibrozë cistike ka bërë kontrollet e fundit për të analizuar se si do të reagojë ilaçi i quajtur Ivacaftor.

“Për momentin jam në spital edhe… jam shumë e gëzuar dhe nuk po mund të flas. Kam nisur të bëj disa kontrolle, për ilaçin që është duke ardhur dhe vetëm deshta të ndajë me ju këtë gëzim. Sot kam ecur që të shoh se si e kam forcën e zemrës, sa është oksigjeni dhe të shohim dallimet para dhe pas. Jam shumë e gëzuar për momentin, edhe kam qarë nga gëzimi”, u shpreh Flora Gashi.

Reklame

Flora e mbërthyer nga emocionet, thotë se ëndërra e saj po realizohet. I duket e pabesueshme që pas 21 vjetësh, më në fund po vjen terapia e nevojshme që do t’ia lehtësojë jetën.

“Gjithnjë kam qenë e mërzitur për gjendjen që kam qenë kohës së fundit. Kam menduar që më nuk do të ketë asnjë gëzim, nuk ka pasur shpresë që të vijnë barnat edhe kam marrë gjithnjë energji negative që ndoshta nuk do të bëhet mirë kurrë, por për mometin pas 5 vitesh po vijnë gjëra të bukura, janë duke mu realizuar ëndërrat, të paktën për sëmundjen që e kam pikën më të dobët në jetë dhe besoj që gjitha gjërat do të bëhen shumë mirë. Për momentin po qaj nga gëzimi sepse barnat priten deri në fund të javës”, tha Flora Gashi.

Kjo sëmundje ia ka vështirësuar gjendjen shëndetësore Florës dhe ia ka bërë të pamundur të kryej aktivitete të përditshme sikurse moshataret e saj. Dita i shkon duke pranuar terapi dhe më së shumti shoqërohet me aparatin e oksigjenit. Ky bar është shpresë që të paktën Flora të funksionojë më mirë dhe të mos e kalojë kohën më të madhe në spital.

Se ilaçi do të vijë së shpejti na siguroi edhe drejtoresha e Klinikës Universitare për Fëmijë, Aspazija Sofijanova, aty edhe ku trajtohet Flora. Për TV21 Sofijanova tha se ilaçi pritet që të vijë deri në fund të muajit janar.

Nga Ministria e Shëndetësisë nuk morëm informacione në lidhje me sigurimin e ilaçit. E nga Fondi për Sigurim Shëndetësor pritet që ditët e nesërme të dalin me detaje për blerjen e medikamentit Ivacaftor.