E quajti Kurtin anti-amerikan, VV i përgjigjet Grenellit

Ish-këshilltarja e Albin Kurtit, Fëllanza Podrimja, ka reaguar në Twitter pas komenteve të ish të të dërguarit amerikan për dialogun Kosovë-Serbi, Richard Grenell, i cili e quajti kreun e VV një anti-amerikan.

“Rregulla nr. 2: kur Richard Grenell flet keq për ju, ju jeni në rrugën e duhur”, ka shkruar ajo, duke iu kundërpërgjigjur mesazhit të tij në Twitter, ku thuhej se Albin Kurti ka qenë kundër politikave amerikane të sugjeruara nga ish-presidentët amerikanë si Bill Clinton,

Barack Obama dhe Donald Trump dhe ekipi i presidentit amerikan Joe Biden, duhet ta ndalojë këtë gjë.

Komentet e tij, Grenell i bëri teksa shpërndau një artikull të së përditshmes izraelite Haaretz, ku duke iu referuar takimit të Kurtit me ambasadorin turk në Prishtinë Çagri Sakar, thuhej se nën presionin e Ankarasë, Kosova mund të ndryshojë vendimin për të hapur ambasadën e saj në Jerusalem.

 

Hapja e ambasadës është parashikuar me marrëveshjen e 4 shtatorit, kur Kosova dhe Serbia nënshkruan në Shtëpinë e Bardhë dy dokumente për normalizimin e raporteve ekonomike, në prani të presidentit të atëhershëm amerikan, Donald Trump. Në atë dokument, nënvizohet njohja e ndërsjellë me Izraelin, ndërsa kërkohet dhe nga Serbia që të zhvendosë ambasadën e saj në Tel Aviv, por një gjë e tillë ende nuk ka ndodhur.