Edhe Lazim Destani me apel për mërgimtarët për tu regjistruar

Biznesmeni nga Tetova, Lazim Destani ka dërguar sot apel deri te mërgata e Maqedonisë së Veriut që të regjistrohet.

Vlerëson se procesi i regjistrimit nuk është vetëm një akt qytetar, por edhe kombëtar.

“Përmes këtij apeli po Ju drejtohem për ta theksuar e për ta risjellë në vëmendjen e çdonjërit peshën e jashtëzakonshme që ka akti i regjistrimit pasi ky nuk është vetëm akt qytetar por gjithsesi është edhe akt kombëtar, andaj, REGJISTROHUNI!”, shkruan Destani në apelin e tij.

Thirrjen e bën si anëtar i Këshillit Koordinues të Diasporës, ndërkaq ka shtuar, se tashmë Maqedonia e Veriut ka dy dekada që nuk ka realizuar regjistrim të popullsisë, dhe ky moment sipas tij, është i duhuri për avansimin e çështjes shqiptare.

 

“Ashtu siç jemi treguar gjithmonë të gatshëm dhe aktiv për mbrojtjen dhe avancimin e çështjes sonë kombëtare, le të tregohemi të vëmendshëm edhe tani në këtë moment historik, kur gjithsecili prej nesh duke i dalë zot familjes dhe pronës së vet, do ta dëshmojmë se dimë t’i dalim zot hises që na takon në shtëpinë tonë të përbashkët”, shkruan më tej Destani, transmeton TV21.

Apelin e përmbyll duke treguar vlerësuar se regjistrimi është më tepër se një operacion statistikor dhe publikon linkun e ueb faqes nëpërmjet të cilës duhet të regjistrohet mërgata: census.stat.gov.mk