Edhe për Evropën dielli lind në lindje

36

Bashkim Aliu

Nga cila anë lind dielli: Ndërmjet poezisë dhe performancës?!

Rrëfimi i integrimit të Maqedonisë së Veriut në BE, u shoqërua jo vetëm me veprime dhe akte të caktuara juridike, politike, administrative dhe ekonomike, por edhe me deklarata të natyrës poetike, me simbolikë dhe romantizëm të tipit “për shqiptarët dielli lind në Perëndim”, shkaktimin e euforisë se çdo gjë është përfunduar, si dhe me plot selfije nga zyrtarët e Maqedonisë së Veriut, të cilët para kohe numëronin ditë dhe orë kur do ta festonin ditën e lajmit të madh se e kemi marrur pëlqimin për hapjen e negociatave me BE-në për integrimin e Maqedonisë së Veriut në këtë union. Megjithatë, Tetori në Bruksel ua thau buzëqeshjen zyrtarëve të cilët, nga suksesi i madh që prisnin ta arrinin me hapjen e këtyre negociatave, i bëri të ndjehen hijerëndë dhe sqimatar, sa që filluan të deklarohen se dielli lind në Perëndim.

Procesi i integrimit evropian, sidoqoftë, nuk lëvizet dhe nuk zhvillohet me deklarata poetike dhe simbolika, por me rezultate konkrete dhe performancë të dalluar të qeverisë në drejtim të funksionimit të shtetit ligjor, luftimit të korrupsionit, krimit të organizuar, reformave në sektore të ndryshme, në veçanti reformimit të gjyqësorit, etj. Në vendet e Ballaknit, ku republika parlamentare është vetëm në letër, ndërkaq skena politike është e dizajnuar në atë mënyrë që kreu i qeverisë merr vendime edhe në gjyqësor dhe ka qasje edhe në ndarjen e rasteve gjyqësore, ndërkaq partitë politike janë të dizajnuara në atë mënyrë që, kryetari dhe tre katër persona tjerë rreth tij, vendosin për çdo gjë, ndërkaq kryesia, kuvendi dhe kongresi janë vetëm insturmente suportimi dhe legjtimimi të vendimeve të tyre, është naive të mendosh se vendet e BE-së do t’i bindish me deklarata poetike dhe simbolike. Raporti i strukturave qeverisëse dhe klasës politike në vendet e Ballkanit në përgjithësi, dhe në veçanti në Shqipëri dhe në Maqedoninë e Veriut, me të huajt, është servil dhe jo raport partneriteti. Ky është raport fiktiv që punon për kauzë jo reale.

Kurbani-Ndërmjet objektivitetit, konkurrencës dhe konspiracionit

Niveli i demokracisë dhe funksionimit të shtetit ligjor në të dy vendet që morrën karton të kuq kësaj rradhe nga Makron, është i qartë dhe nuk don kallauz. Vullneti për integrim nuk duhet të bëhet qartë vetëm me retorikë të tipit “dielli për ne lind në perëndim” por me hapa konkretë në rrugën e reformave.

Këto shtete, realisht nuk i kanë bërë punët institucionale për të qenë “evropian”. Kjo, ngase kuota elektorale e jo performanca qeveritare është kriter i përcaktimit të interesit të shtetit nga klasa politike e vendeve të Ballkanit në përgjithësi, e në dy vendet që u refuzuan nga presidenti francez Makron të fillojnë negociatat, në veçanti. Vendimi për çeljen e negociatave është vlerësim për performancën e qeverisë dhe fajtori del të jetë ai që ka patur instrumentat që ta shtyjë përpara këtë proces. Nuk mund t’i bësh presion BE-së që të futesh në BE, kur ti me marrjen e pushtetit e shndërron shtetin në shtet një partiak dhe bëhesh aleat i krimit. Ndrrohen vetëm oligarkët të njërës dhe tjetrës palë. Duhet pranuar se këto vende janë jashtë standardeve të mirëfillta të BE-së. Qeveria e Maqedonisë së Veriut, tërë bastin e vuri në zgjidhjen e kontestin me Greqinë si dhe marrëveshjen për fqinjësi të mirë me Bullgarinë. Megjithatë, dështimi i referendumit ishte një tregues se bashkësia etnike maqedonase nuk ka disponimin e duhur për zgjidhjen e ofruar e cila hap rrugën e integrimit të Maqedonisë së Veriut në strukturat euro-atlantike. Mesazhi u dha se ky është objektivi i qeverisë aktuale, por jo edhe i pjesës më të gjërë të bashkësisë etnike maqedonase. Megjithatë, kjo mund të shpjegohet edhe si tentim që me një hap politik për zgjdhjen e kontesteve të hapura me fqinjët, të fitohet një lloj amnestie për mospërmbushjen e reformave të duhura në të gjitha fushat, në veçanti në gjyq[sor dhe në luftimin e krimit dhe nepotizmit. Po ashtu, nuk është edhe i pa pranueshëm vlerësimi se marrë parasysh se Makron flet një kohë të gjatë për nevojën e reformimit të BE-së, është papjekuri politike dhe strategjike të futesh në procese pa kërkuar garanca dhe pa paraparë mekanizëm mbrojtës konkret në marrëveshje.

Kjo është njëra anë e çështjes në fjalë, gjegjësisht e refuzimit të presidentit francez Makron që të hapen negociatat me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut për anëtarësim në BE.

Mirëpo, nga ana tjetër, pasi në rastin e Maqedonisë së Veriut, për dallim prej Shqipërisë, hapjen e negociatave me të cilën e kanë kontestuar edhe disa shtete tjera, të cilat, megjithatë, nuk janë shumicë, vetëm presidenti francez ka bllokuar, shtrohet dilema e konkurencës franko gjermane, nga e cila pësoi Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut. Kjo, pasi miku tradicional i Francës, Serbia, që më parë e kaloi këtë sfidë fillestare. Nuk jam i sigurtë se Makron do të kishte qenë i këtillë nëse ishte në pyetje hapja e negociatave me Serbinë. Konkurenca Paris-Berlin është e dukshme në segmente të ndryshme brenda BE-së dhe jashta saj, dhe dallojnë lidhjet Paris-Beograd dhe Paris- Tiranë. Shto kësaj edhe zgjedhjet e fundit në BE, ku konkurrenca ndërmjet Parisit dhe Berlinit u vërejt qartë në zgjedhjen dhe refuzimin e kandidatëve të palëve përkatëse për KE. Për atë, jashta këtyre kornizave dhe interesave tjerë gjeostrategjik dhe gjeopolitik, nuk shihen shkaqe substanciale për bllokimin e Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut nga ana e presidentit francez. Por, siç u shprehën me maturi udhëheqësit e institucioneve të BE-së, në veçanti Tusk dhe Junker, ky ishte një gabim, ndërkaq, thënë më qartë, Makron e dëmtoi reformimin e këtyre vendeve, për shkak se hapja e negociatave për anëtarësim në BE, deri në një masë do të ishte e shëndetshme për konsolidimin e shtetit dhe kontrollin e politikanëve, si dhe do të ishte me një ndikim të dukshëm në konfigurimin e mënyrës dhe ecjes së reformave.

Makron-mes fajtorëve kujdestar dhe miqve

Përtej të drejtës së tij të kërkojë reforma brenda BE-së, gjë që nuk është patjetër të jetë rezultat i shërbimit të qëllimeve gjeostrategjike dhe gjeopolitike e gjeoenergjetike ruse në Ballkan dhe në Europë, deklaratat e presidentit Makron duke e arsyetuar qëndrimin e vet karshi Maqedonisë së Veriut dhe Shqipërisë, janë kontradiktore, komprometuese, e pa përgjegjshme, e mund edhe të shihet si raciste ndaj shqiptarëve, ngase i paraqet shqiptarët si fajtorë kujdestar, frika nga të cilët, e ka detyruar atë në këtë hap. Nuk mund që e gjithë kjo të kamuflohet me mos krjimin e çarjeve gjeostrategjike në Ballkan, në çka Makron u fokusua, me ndarjen e dy shteteve për dhënien e dritës jeshile për hapjen e negociatave për anëtarësim në BE.

Nga ana tjetër, i indinjuar për humbje tereni në Ballkan kundrejt Gjermanisë dhe Turqisë, në veçanti, Makron iu kthye miqve tradicional-serbëve, për t’u rikthyer në Ballkan. Kështu, Makron në Shtator të 2019, d.m.th., pas njëzet vite mungesë të liderëve francez në Ballkan, Makron e vizitoi Serbinë dhe me dorën në zemër mbajti fjalim në serbisht. Kështu i trajtoi serbët, ndërkaq shqiptarët vazhdon ti shohë si destabilizues potencial të Ballkanit. Kjo është papërgjegjshmëri tipike e një politikani. Nuk larg mendjes se Makron është surrogat i Le Penit me petk liberal.

Por, ja, kështu ndodhi tash për tash. Edhe pse për disa zyrtarë të juglindjes, dielli lind në Perëndim, për Perëndimin, megjithatë, dielli lind në Lindje.