Elon Musk gjatë pandemisë rriti pasurinë për 1000%

Dhjetë miliarderët më të mëdhenj të botës e kanë dyfishuar pasurinë e tyre gjatë pandemisë, sipas raportit të Oxfam.

Elon Musk është personi me rritjen më të lartë të të ardhurave. Pasuria e tij është rritur me 1000%.

Reklame

Sipas shifrave të Forbes, në 10 njerëzit më të pasur në botë përfshihen Elon Musk, Jeff Bezos, Bill Gates dhe Mark Zuckerberg.

Pasuria kolektive e tyre u rrit nga 700 miliardë dollarë në 1.5 trilion dollarë nga marsi i vitit 2020, në nëntor të 2021.

“Ndërsa pasuria e tyre kolektive u rrit nga 700 miliardë dollarë në 1.5 trilion dollarë nga marsi 2020 në nëntor të 2021, ka një ndryshim të madh midis tyre, ku pasuria e Musk u rrit me më shumë se 1000%, ndërsa e Bill Gates vetëm me 30%”, shkruan BBC.

Por prej situatës pandemike ka më shumë njerëz të varfër në botë. 21,000 njerëz kanë vdekur çdo ditë prej varfërisë, që është shtuar për shkak të uljes së të ardhurave.

Një mënyrë për ta zgjidhur këtë pabarazi është duke taksuar njerëzit më të pasur, sipas Gabriela Bucher, drejtoreshë ekzekutive e Oxfam International.

Oxfam është një organizatë jo-fitimprurëse në Britani, e cila nxjerr një raport vjetor mbi pabarazinë globale në fillim të takimit të Forumit Ekonomik Botëror. Ky takim bën bashkë mijëra liderë korporatash, politikanë, të famshëm, aktivistë, ekonomistë dhe gazetarë.