Erdogan e quan Macronin të paaftë

Advertisment

Presidenti turk, Recep Tayyip Erdogan, tha të enjten se Franca po drejtohet nga një president “i paaftë”.

Erdogan dhe presidenti i Francës, Emmanuel Macron kanë shkëmbyer fyerje gjatë muajve të kaluar pasi kanë mosmarrëveshje për një sërë çështjesh, duke filluar nga Libia dhe pjesë të Lindjes së Mesme deri në mosmarrëveshjen detare të Turqisë me Greqinë.

Reklame

Macron e zemëroi Ankaranë javën e kaluar kur kritikoi mënyrën sesi Turqia po qeveriset nga Erdogani, duke thënë se ky vend “meritonte diçka tjetër”.

Bashkimi Evropian do të diskutojë javën e ardhshme për mundësinë e sanksioneve ndaj Turqisë, pas dërgimit të anijeve të saj në ujërat mesdhetare për të kërkuar naftë dhe gaz.

Ndaj këtij rajoni kanë pretendime Qiproja dhe Greqia, raporton AFP.

Mosmarrëveshjet mes Turqisë dhe Francës u përshkallëzuan më shumë, pasi Franca muajin e kaluar dërgoi anije detare në Mesdheun lindor për të ndihmuar anijet luftarake greke.

Erdogan akuzoi BE-në se ka zbatuar “standarde të dyfishta kundër Turqisë për një kohë të gjatë”.

Erdogan tha në një takim virtual të partisë së tij në pushtet se “logjika e Macronit, duke fajësuar Turqinë për problemet rajonale, nuk funksionoi”.

“Nëse Turqia tërhiqet nga Siria, a do të arrijë Siria paqen?”, pyeti ai derisa po përmendte një listë të vendeve që janë në konflikt.

Armiqësia midis dy udhëheqësve është rritur që kur Macron paralajmëroi se mungesa e përgjigjes së NATO-s ndaj një operacioni turk në Sirinë veriore tregoi se aleanca po kalonte një “vdekje të trurit”.

Lidhur me Libinë, mosmarrëveshjet mes dy vendeve qëndrojnë në faktin se Turqia mbështet qeverinë e njohur nga OKB-ja në Libi. Ka dyshime se Franca favorizon një qeveri paralele dhe liderin e saj, gjeneralin, Khalifa Haftar, por zyrtarisht e mohon këtë.

Top Channel