Fëmijët po humbin shikimin, familja vendos të shëtisë botën para se të jetë shumë vonë

Kur çifti kanadez Edith Lemay dhe Sebastien Pelletier mësuan se tre nga katër fëmijët e tyre kishin një sëmundje të rrallë gjenetike që shkakton humbje ose rënie të shikimit, ata vendosën të nisnin një tur botëror me udhëtime që fëmijët të kishin sa më shumë kujtime vizuale.

Vajza e Lemay dhe Pelletier, Mia, 12, dhe djemtë Colin, 7, dhe Laurent, 5 vjeç janë diagnostikuar me “retinitis pigmentosa”, sëmundja gjenetike e cila shkakton humbje graduale të shikimit. Aktualisht nuk ka asnjë kurë apo trajtim efektiv për të ngadalësuar përparimin e sëmundjes dhe çifti kanadez pret që fëmijët e tyre të jenë “plotësisht të verbër nga mesi i jetës”.

Në një intervistë për CNN, Lemay tha se kur mjeku specialist i Mia-s i tha se vajza e saj do të mbetej e verbër, ajo vendosi të merrte masa.

Mendova dhe vendosa të mos i tregoj asaj elefantë e kafshë nga librat por t’i shohë dhe prekë në realitet. Dua ta mbush kujtesën e saj vizuale me imazhet më të mira dhe më të bukura.
Familja me 6 anëtarë prej kohësh po udhëton nëpër botë dhe në fokus kanë pamjet, kafshët, florën dhe faunën. Ata filluan udhëtimin e tyre në Namibi, ku kanë parë elefantë, zebra dhe gjirafa. Më pas, ata kanë shkuar në Zambia dhe Tanzani. Ata kanë qëndruar një muaj në Turqi dhe më pas kanë shkuar në Mongoli dhe Indonezi.