FFA kompania shqiptare drejt majave më të larta në Zvicër

Advertisment

Nuk ishte e lehtë rruga e Fatmir Gurit për të shkuar në mërgim, pasi ishte një kohë kur në trojet shqiptare gjithçka ishte kundër qenies së saj. Papunësia ishte e madhe, të drejtat e shqiptarëve shkeleshin në çdo sferë, nuk kishin shumë gjasa për të gjetur ndonjë vend të punës edhe përkundër arsimimit të kryer.

Pasi kreu shkollën e lartë në Shkup, dega fizikë-kimi, ai u detyrua të punësohet në fshatin Bllacë të rrethit të Shkupit, ku punoi për katër vite të tëra, për një rrogë mizore dhe me kushte nën dinjitetin e asaj që e meritonte si punëtor arsimi. Të gjitha këto, në vitin 1989 Fatmirin e detyruan që të nisej për në Zvicër.

Reklame

Atje nuk kishte askënd dhe e kishte problem të madh për ndonjë strehë. Si edhe shumica e shumë bashkatdhetarëve tanë, edhe ai flinte ku e zinte nata. Shpeshëherë natën e kishte kaluar nëpër kanitere në ndërtim, pa dyer e dritare, duke u mbuluar me kartonë apo ndonjë gjësend tjetër, në formë të mbulesës.

Që në agim zgjohej dhe ikte nga kantieri pasi ishte rrezik për ta hetuar policia zvicerane. Në këto kushte ekstra të rënda, ai gjeti një punë në një sipërmarrje ndërtimtarie, duke i përballuar kushtet tepër të vështira të fillimit të një jete mërgimtari, pa njohur askend, pa ndonjë strehë të sigurt. Puna e rëndë edhe më tepër ia vështirësonte jetën, pasi ishte rritur në Shkup dhe më tepër kishte qasje në arsim.

“Punova dy muaj me lopatë e kazmë, por mu ënjtën duart”, rrëfen Fatmiri enkas për “Shtegu.com”. Gjuhën nuk e dija pothuajse fare, por një ditë shkova në zyrë të punëdhënësit dhe i thashë: “Unë – jo me lopatë e kazëm. Unë tjetër punë”. Nuk e dija nëse shefi më kishte kishte kuptuar apo jo, por zviceranët janë ekspertë të kuptimit të mimikës me këmbë e duar, pasi kanë përvojë me qindra nacione të ndryshme.

Ishte ky një çast vendimtar për të filluar një karrierë të suksesshme në këtë sipërmarrje, pasi shefi ka mundur të më thotë se nuk ka nevojë për punëtor të tillë. Megjithatë, ai u kujtua pak dhe vendosi të më japë një punë tjetër, të bëhem makinist e më pas edhe mbikëqyrës i një ekipi punëtorësh. Në ndërkohë, kujdesesha edhe për menaxhimin sa më ekonomik të sipërmarrjes, gjë të cilën e bëja me përplot përkushtueshmëri dhe respekt, me blerje e shfrytëzim racional të mjeteve të punës etj.

Dalëngadalë, Fatmiri filloi të stabilizohej dhe e rregulloi çështjen e banesës dhe të konsolidimit të radhëve në ekonominë familjare. Një vit më vonë, në Zvicër e solli edhe të vëllain Fadilin, i cili në Çarshinë e Vjetër të Shkupit po përpiqej të punonte si rrobaqepës.
Ai u bë dora e djathtë e Fatmirit, ndërsa rrallë mund të gjendet ndonjë respekt i ndërsjellë vëllazëror si Fadili dhe Fatmiri. Për 17 vite të tëra, Fatmiri punoi te sipërmarrja e parë, e më pas Fadili i propozoi që të bëheshin të pavarur. Një hap vërtetë përplot me rreziqe, por Fadili ishte këmbëngulës.

“Viti i parë ishte pak i vështirë, por isha i bindur se do t`ia dalim”, rrëfen Fadili. Edhe ashtu ndodhi. Në bazë të respektit shembullor reciprok ndërvëllazëror, kompania FFA SA tani numëron hiq më pak se 106 të punësuar, me një reputacion të madh në Kantonin Vaud dhe më gjerë. Shumica e punëtorëve janë nga nacione të ndryshme, në mënyrë që në këtë kompani të funksionojë integrimi i sa më shumë nacioneve, gjë që është një prioritet i shoqërisë zvicerane.

Kompania është e certifkuar me licencën ISO dhe përmes komunës, në një konkurrencë të madhe prej rreth 20 sipërmarrjesh, ajo ia del të furnizohet rregullisht me punë në sferën e inxhinierisë civile.

Për shkak të sasisë së shtuar të punës, Fatmiri dhe Fadili u detyruan t`i punësojnë fëmijët e tyre Jetmirin dhe Artanin në postin e drejtorëve gjeneralë, ndërsa ata dy personalisht u bënë administratorë të kompanisë. Jetmiri 29-vjeçar ka të kryer shkollën komerciale, ndërsa Artani është viti i tretë në drejtimin e inxhinierit. Që të dy, në kompani kanë sjellë një frymë të re, me ide të qëlluara dhe ambiciet e tyre janë që të vazhdojnë përpara.

Administrata gjithsej i ka dhjetë nëpunës, ndërsa Philipi, njëri nga ta ka vetëm fjalë miradie për vëllezërit dhe familjet Guri. “Mahnitem me vëllezërit Guri, filluan me një sipërmarrje që nuk kishte asgjë dhe nuk kishin aspak frikë. Ata fituan besimin e madh në regjion dhe tani ia dolën”.

Fatmiri dhe Fadili janë me vendbanim në Ecublens, në një lagje të qetë me banorë kryesisht zviceranë, ku banojnë edhe dy familje shqiptare. “Jemi katër familje, dy nga Gazi Baba e dy nga Serova e Shkupit”, përfundon sa për disponim Fatmir Guri.