Gjendja në vend është stabile dhe komisioni për sëmundje infektive deri tek qeveria do ta dorëzoj projekt planin për vënien në funksion autoshkolat, stërvitjet sportive etj, njoftoi Venko Filipçe, ministër i shëndetësisë.
“KY plan parasheh që gjatë kësaj jave të hapen dhe të vihen në funksion qendrat për stërvitje, seminare, edukim, organizimi i seancave të organeve për menaxhimin e konferencave, stërvitjet sportive në hapësira të hapura, tenis…”, deklaroi Venko Filipçe, ministër i shëndetësisë, ndërkohë që u shpreh optimist se dalëngadalë vendi po kthehet në normalitet.
“Gjatë dy muajve të ardhshëm presim ulje të dukshme të të infektuarve nga Kovid-19. Presim që në këtë drejtim të ndihmojnë edhe temperaturat e larta. Rastet e djeshme dhe të sotme kanë të bëjnë më një ngjarje të vogël në Shkup”, u shpreh Filipçe.
Ministri Filipçe edhe njëherë përkujtoi se mbeten në fuqi dhe duhet të respektohen masat dhe rekomandimet për mbrojtje nga Kovid-19, si është mbajtja e maskës dhe distanca prej 2 metra.