Filipçe: Ngadalë po e fitojmë betejën me Koronavirus

Advertisment

Dibra, qyteti i vetëm ku u shpall gjendje krize për shkak të korona virusit tani është qyteti ku nuk ka asnjë të sëmurë nga Kovid 19. Ministria e Shëndetësisë njoftoi se në gjashtë qytete tashmë nuk ka të sëmurë. Këtë e tregon raporti i Institutit të Shëndetit Publik.

Përskaj Dibrës, të sëmurë nuk ka as në Radovish, Gjevgjeli, Strumicë, Probishtip dhe Demir Hisar. Në Dibër ishin regjistruar 51 raste të Korona virusit. Prej tyre 4 vdiqën, ndërsa 47 u shëruan. Në Radovish dhe Gjevgjeli kishte nga 4 raste, Strumicë 1 dhe Probishtip nga dy raste, ndërsa në Demir Hisar kishte vetëm një të sëmurë nga Kovid 19.

Reklame

Ngadalë po e fitojmë betejën me virusin. Por, të mos harrojmë, të gjitha masat edhe më tej do duhet të respektohen. Të jemi të përgjegjshëm deri në fund”-tha Venko Filipçe, ministër i Shëndetësisë.

Në 24 orët e fundit janë shëruar edhe 45 persona. Ata janë nga Shkupi, Kumanova dhe Prilepi. Deri tani numri i të shëruarve nga Kovid 19 është 852. Për 24 orë janë regjistruar vetëm 15 raste të reja nga gjithsej 199 testime të bëra. Rastet e reja janë dy në Shkup. Shtatë në Kumanovë, katër në Prilep dhe nga një në Tetovë dhe Strugë. Deri tani në Maqedoni janë diagnostikuar 1506 raste, ndërsa nga virusi kanë vdekur 82 pacientë. Numri më i madh i të infektuarve është në Shkup dhe Kumanovë. Në klinikën infektive në Shkup për herë të parë pas fillimit të pandemisë nuk ka të pranuar pacient të ri për një ditë.

Në Klinikë vdiq një pacient 61 vjeçar nga Struga që në spital është shtruar para një jave. Ai ka pasur më shumë sëmundje. Tani në klinikë gjenden 39 pacientë, prej tyre 20 me gjendje më të rënduar dhe janë në aparate për frymëmarrje, ndërsa një pacient është në gjendje kritike dhe është në ventilim mekanik. Në spitalin “8 Shtatori” janë pranuar 9 pacientë të ri, ndërsa gjithsej janë 29. Në aparat për frymëmarrje janë katër pacientë dhe tre të tjerë janë me pasqyrë më të vështirë klinike. Në spitalin e Manastirit janë 4 pacientë dhe në shërim shtëpiak edhe tre të tjerë. Në spitalin e Shtipit janë të hospitalizuar dy pacientë, ndërsa në shtëpi janë 4 pacientë. Në repartet e infektologjisë në Prilep, Kumanovë, Veles, Ohër, Gostivar dhe Tetovë janë shtruar 47 pacientë që janë pozitiv ose raste të dyshuara me Kovid 19.