Filipçe: Nuk ka datë të saktë se kur do të arrijnë vaksinat kineze

Edhe pse u tha se do të arrijnë deri në fund të muajit shkurt, vaksinat kineze për të cilat Qeveria tashmë ka nënshkruar kontratën, ende nuk dihet kur do të arrijnë.

Datë të saktë nuk di as ministri i Shëndetësisë, Venko Filipçe, pasi siç tha, vazhdimisht kërkohen dokumente dhe informacione të reja nga komunikimi i çdoditshëm.

Reklame

“Kërkohen dokumente shtesë, por edhe qartësim i disa neneve nga kontrata. Këto dalin nga komunikimi i çdoditshëm dhe shkëmbimi i informacioneve. Ja edhe sot kemi komunikim dhe shpresoj që ditëve në vijim do të kemi data konkrete se kur do t’i kemi këto vaksina”, tha Filipçe.

Nga ana tjetër, Qeveria dje ka nënshkruar kontratën për blerje edhe të 100 mijë vaksinave anti-Covid nga kompani “Sputnik V”.

Ndërkaq, imunizimi në vend tashmë ka filluar, por vetëm ndaj personelit mjekësor, me vaksina “Pfizer” të cilat u pranuan si donacion nga Serbia./TV21