Filloi vaksinimi, ministri Filipçe ndërroi mendje dhe nuk u vaksinua i pari

Në Maqedoni të Veriut ka filluar procesi i vaksinimit. Por, edhe pse paraprakisht ministri i Shëndetësisë, Venko Filipçe kishte deklaruar se do të vaksinohet i pari, kjo nuk ndodhi sot. Të parët që u vaksinuan ishin personeli mjekësor i Klinikës Infektive dhe Gjendje Febrile.

“Konsideroj se punëtorët shëndetësor janë të rëndësishëm në procesin e imunizimit. Dhe atëherë kur kam thënë, dhe sot po e them, do të vaksinohem që të tregoj se vaksinat janë të sigurta, se zhvillohen në platforma të sigurta dhe se kjo është mënyra e vetme që të arrihet imuniteti kolektiv dhe të ndryshohet pasqyra e pandemisë.

Nuk dua të zë vend në dozat e para që janë në numër, për kolegët të cilët punojnë drejtpërdrejt me pacientët”, tha Filipçe, transmeton TV21.

Ka deklaruar se personel mjekësor planifikohet të vaksinohet për 10 ditë.

 

“Për 10 ditë parashihet se do të jemi ndër shtetet e vetme në Evropë në të cilën do të vaksinohen të gjithë punonjësit mjekësor të cilët punojnë me pacient të infektuar me Covid”, tha Filipçe.

Sipas planit të Ministrisë së Shëndetësisë, gjatë javës së ardhshme pritet të arrijë edhe sasia e mbetur e donacionit nga Serbia, për çfarë vaksinat kineze do të arrinë kah fundi i Shkurtit.