Fitorja ndaj San Marinos nesër mund ta kthejë Shqipërinë në vendin e dytë

Një ditë pas fitores ndaj Hungarisë, Përfaqësuesja e Shqipërisë ka nisur përgatitjet për ndeshjen e radhës kualifikuese për Botërorin “Katari 2022”, që e luan ndaj San Marinos.

Kjo ndeshje luhet të mërkurën, prej orës 20:45 në stadiumin “Elbasan Arena”, dhe i takon Grupit I eliminator. Është dueli i tretë dhe i fundit këtë muaj për Shqipërinë.

Shqipëria ka regjistruar një humbje dhe një fitore javën e kaluar. Zë vendin e tretë në Grupin I me nëntë pikë të grumbulluara pas pesë ndeshjeve të zhvilluara. San Marino e zë vendin e fundit në grup pa pikë, pasi ka pësuar pesë humbje në po aq përballje.

Me fitore ndaj San Marinos, që edhe pritet, dhe humbje eventuale të Polonisë ndaj Anglisë, Shqipëria do të kalonte në vendin e dytë në grup që në fund dërgon në barazh.

Qendërmbrojtësi Marash Kumbulla dhe mesfushori Endri Çekiqi ishin të pranishëm në konferencën për shtyp të mbajtur të hënën. Të dy e shprehën optimizmin në prag të duelit me San Marinon dhe insistuan se presin fitoren e radhës pas asaj ndaj Hungarisë.

“Jam shumë i lumtur për fitoren ndaj Hungarisë, ku gjithë skuadra luajti mirë. Unë besoj se përveç dy rasteve që pati kundërshtari, paraqitja ishte në favorin tonë. Normale, rezultati në Poloni tregon që nuk kemi bërë paraqitje të mirë ndaj Polonisë, por jam i lumtur për ndeshjen me Hungarinë”, është shprehur Kumbulla. “Dëshira jonë është fitorja ndaj San Marinos, pasi duam të shkojmë në plejof. Natyrisht, është e vështirë sepse kemi ekipe të forta në grup. Do të japim maksimumin në fushë dhe shpresoj të jemi në plejof”, ka përfunduar Kumbulla.

Në stërvitjen e së hënës, trajneri Edoardo Reja ka ndarë grupin në dy pjesë, duke rezervuar një ngarkesë më të lehtë për futbollistët që luajtën ndaj Hungarisë. Sulmuesi Sokol Cikalleshi vijoi të stërvitet i diferencuar për shkak të një problemi në gju. Cikalleshi mbetet në dyshim ndaj San Marinos, por do të mungojnë Klaus Gjasula, Amir Abrashi e Lorenc Trashi për shkak të kartonëve. Lajm i mirë është kthimi i Elseid Hysajt, Keidi Bares e Rey Manajt, të cilët shkaku i pezullimit nuk ishin në dispozicion të trajnerit Reja për duelin ndaj Hungarisë.

Mesfushori Çekiqi, që luajti për më shumë se 20 minuta ndaj Hungarisë, theksoi se ndaj San Marinos tri pikët janë objektivi i vetëm.

“Besoj se kemi një grup me lojtarë të talentuar, besoj se në vitet e ardhshme do të kemi ekip kompetitiv jo vetëm në rajon, por edhe në botë. Nuk na vendos në trysni kundërshtari, sepse e dimë çfarë cilësish kemi, besojmë te lojtarët dhe mund të arrijmë vendin e dytë në grup. Ka shumë lojtarë të rinj dhe këtu do ta shohim njëri-tjetrin për shumë vjet. Në ndeshjet në vazhdim hap pas hapi loja do të vijë duke u përmirësuar”, tha Çekiqi. “Ndaj San Marinos natyrisht që futemi për ta fituar ndeshjen”.

Grupit I i prin Anglia me 15 pikë, e përcjellë nga Polonia me dhjetë sosh. Hungaria zë vendin e katërt me shtatë pikë, duke lënë pas vetes Andorrën me pesë pikë të mbledhura.