FMN i kërkon El Salvadorit të heqë Bitcoinin si monedhë të ligjshme

FMN-ja i ka bëri thirrje El Salvadorit ta ndryshojë kursin dhe të ndalojë përdorimin e Bitcoin si monedhë të ligjshme, duke përmendur “rreziqet e mëdha” që paraqet kriptovaluta.

El Salvadori në shtator u bë shteti i parë në botë që përqafoi paratë digjitale, duke i lejuar konsumatorët ta përdorin në të gjitha transaksionet, krahas dollarit amerikan.

Reklame

FMN me bazë në Washington i bëri thirrje Qeverisë së presidentit Nayib Bukele që të rishqyrtonte masën, por bordi, i përbërë nga përfaqësues të qeverive anëtare të FMN-së, përfshirë Shtetet e Bashkuara, përdori një gjuhë shumë më të fortë.

Sipas një deklarate nga Fondi Monetar Ndërkombëtar, “autoriteteve të Salvadorit iu kërkua ta heqin statusin ligjor të Bitcoin”.

Zyrtarët “theksuan se ka rreziqe të mëdha që lidhen me përdorimin e Bitcoin për stabilitetin financiar, integritetin financiar dhe mbrojtjen e konsumatorit” dhe me emetimin e bonove të mbështetura nga Bitcoin.

Fondi mbështeti qëllimin për të “rritur përfshirjen financiare” që mund të avancohej duke përdorur portofolin elektronik “Chivo” të vendit, por ka paralajmëruar për nivelet e larta të paqëndrueshmërisë në kursin e këmbimit të kriptovalutës.

Bitcoin sot kapi vlerën e rreth 37.000 dollarë, duke humbur rreth gjysmën e vlerës së tij në krahasim me rekordin prej 67.734 të shënuar në nëntor.

Bukele ka përfituar nga rënia e çmimeve për të blerë asetin digjital për vendin, përcjell AFP.