Frymëzimi i kulluar i Ramazanit

Shkruan: Metin Izeti

Ramazani është një mënyrë shumë origjinale për të kulluar adhurimin dhe për ta përjetuar lëngun e ëmbël të shpirtit. Ai e ngadalëson përmasën e nevojave dhe dëshirave fizike duke I zëvendësuar ata me theksin e përshpirtshmërisë. Në Ramazan ne ndalojmë rrjedhën normale të kohës si rrjedhojë e përparësisë që i kushtojnë adhurimit dhe krijojnë një dimension të ri të kohës I cili na vendos në mbretërinë e përjetshmërisë. Kështu, dalim nga përditshmëria dhe fillojmë bisedën me veten dhe përpiqemi të shikojmë brenda vetes. Ramazani duke e ngadalësuar qarkullimin dhe dinamikën e jetës e krijon mundësinë për të na çliruar nga rutina materiale dhe të na kthejë në ekzistencën tonë origjinale.

Ramazani, gjithashtu, është një sfidë për të na e larguar konceptin e përditshmërisë së modernizmit, më drejtë, e largon konceptin e jetës vetëm në një aks hedonist, se njeriu mund të kënaqet vetëm me plotësimin e dëshirave materiale dhe e thekson konceptin, se ka jetë edhe përtej pasionit dhe lakmisë.

Njeriu përjeton një gjendje mahnitjeje kur largohet nga rutina e jetës. Ramazani me dimensionin e tij sublim, si rrjedhojë, na del përpara si një mundësi për thellimin dhe bukurinë. Ai na largon nga gjërat dhe na e hap shtegun e udhëtimit në njohuritë për të vërtetën esenciale. Përvoja e urisë mbart ndjenjën se bota është një vend i vdekshëm, i fundmë. Përvoja e urisë, njeriut ia mëson të vërtetën se jeta nuk është një vorbull e riqarkullimit të pandërprerë për kënaqësinë lëndore dhe se ekziston edhe një dimension përtej kënaqësisë materiale. Kjo është kënaqësia shpirtërore që e përjeton besimtari në Ramazan. Atëherë kur heq dorë nga kënaqësitë materiale në favor të kënaqësive shpirtërore. Sepse në Ramazan, besimtari kalon në një dimension krejtësisht tjetër të menduarit dhe ekzistencës. Sistemi antropocentrik dhe egocentrik i përditshmërisë tonë assesi nuk mund të ndërhyjë në këtë dimension. Pikërisht për këtë Ramazani paraqet qëndresën shpirtërore të besimtarit në relacion me tundimet e përditshmërisë dhe rutinës.

Duhet të kujtojmë se Ramazani është gjithashtu një agjërim prej fjalëve të këqija, sjelljeve të këqija, zemërimit. Në Ramazan, ne agjërojmë, gjithashtu, edhe nga ajo që është e keqe. Pra, ky muaj është një mundësi e shkëlqyeshme për një njeri të edukojë karakterin e tij, të gardhojë egon, të mënjanojë paturpësinë dhe lazdrimin e vetes. Si rrjedhojë, hapi i parë për të edukuar egon është kthimi I njeriut në shpirtin e tij. Të hyjë në modin e dëgjimit të zërit të brendshëm. Shpirti e ka aftësinë për t’u kujdesur për nevojat e trupit. Pavarësisht se sa të ndryshme janë rrëfenjat jetësore të njerëzve, problemi kryesor me të cilin përballemi është jeta në kundërshtim me natyrshmërinë. Njeriu kur është tepër I ngarkuar me lëndoren nuk ka kohë ta dëgjojë shpirtin. Shqetësimet e panevojshme për të ardhmen gradualisht e largojnë njeriun prej natyrshmërisë së tij. Kjo ndikon që shpirti të alarmohet.

Fatkeqësisht, njeriu i sotëm jeton aq shpejt sa nuk mund të dëgjojë as britmat e shpirtit të vet. Ramazani, në këtë kontekst, na vinë në ndihmë dhe me ngadalësimin e lëndores e mundëson që të dëgjohen britmat e shpirtit dhe të ndjehet nevoja e ushqimit adekuat të tij. Veçanërisht adhurimi I sforcuar shërben dukshëm në dëgjimin e zërit të brendshëm. Fakti që namazi është pesë herë në ditë, ka shumë efekte që janë të mira për shpirtin njerëzor. Falë namazit pa marrë parasysh sa është e ngarkuar jeta, bëhen pauza të detyrueshme në punë. Këto pauza janë mënyra e vetme e komunikimit që njeriu mund të krijojnë me botën e tij të brendshme. Namazi, në veçanti kur jemi edhe me agjërim, është forma më e mrekullueshme e terapisë për një besimtar.

Qytetërimi modern bazohet në “kënaqësi të papritur”, “impulsivizëm” dhe “dinamizëm”. Në thelb të gjithë kësaj qëndron ikja nga vdekja, rrjedhimisht filozofia e mohimit të vdekjes. Kohëve të fundit, veçanërisht pas paraqitjes së pandemisë së Covid19, e shohim se vdekja perceptohet si një gjë e errët. Ajo është pothuajse e dëbuar nga jeta, dhe njerëzit nuk kanë guxim të përballen sa duhet me ankthin e saj dhe gjendjen e vetëdijes që e sjell vdekja. Personi që është tepër dinamik e humb një aftësi shumë themelore, përqendrimin në të menduar. Në një botë ku gjithçka është e shpejtë, mundësitë e njerëzve për tu kthyer me brendinë dhe për të biseduar me të, gjithnjë e më shumë zvogëlohen. Ramazani, pikërisht e ndal njeriun që të mendojë dhe të bisedojë me brendinë e tij. Sigurisht, që të flasësh me veten do të thotë të jesh i hapur për të folur me të përtejmen/ transcendentin.

Egoja post-moderne është shumë e rrjedhshme, merr trajta dhe forma të ndryshme dhe na paraqitet si një ego shumë e cekët. Pra, na paraqiten qindra fotografi artficiale të egos. Njerëzit veshin maska ​​të ndryshme në ambiente të ndryshme. Njeriu I sotëm ekziston me ato maska. Ai nuk ka një ego të qëndrueshme. Sillet në ujdi me interesat e përditshme. Kjo është një gjendje që dëmton dhe e bën të çalojë thelbin e të qenurit njerëzor. Thelbi i të qenit njerëzor është të përqafosh disa emocione shumë themelore. Virtytet që e përcaktojnë thelbin e të qenurit njeri janë dashuria, bujaria, besimi, ndarja e vlerave, komunikimi, ndjesia për problemin e dikujt tjetër. Kur njeriu ka një ego të cekët këto cilësi themelore dëmtohen. Për fat të keq “çfarëdo që deri dje ishte mëkat, sot duartrokitet si virtyt”. Për fat të keq, lakmia, sot është shndërruar në ndërmarrësi. Për pasojë, ajo që sot pranohet si meritë në të kaluarën konsiderohej një turp.

Sot, arroganca dhe qibri janë bërë vetëbesim. Shpirtrat e sëmurë që njerëzit I posedojnë, për fat të keq, ushqehen nga kultura post-moderne kapitaliste. Njerëzve u thuhet se duhet të keni shumë besim në veten. Ju madje duhet t’i besoni vetes më shumë se kujtdo tjetër. Nuk duhet të mbështeteni tek njerëzit e tjerë. Në një mënyrë kjo mendësi e përgatit vetëizolimin dhe karantinën e njeriut. Ramazani është një përvojë e thellë për shërimin e këtyre sëmundjeve të kohës tonë. Intimiteti dhe afërsia me përvojën e urisë na inkurajon të bëhemi empatik dhe na largon nga vetëizolimi. Personi që për hire të një qëllimi sublim mund të qëndrojë I uritur, gjithsesi se mund të bëjë një evolucion shumë serioz drejt kuptimit të njerëzve të tjerë.

Ramazani nuk është vetëm një adhurim fetar. Në të njëjtën kohë, është një ringjallje e madhe kulturore. Është një emocion që na bën të ndihemi se ku përkasim. Në cilin rreth konceptual bëjmë pjesë ne? Në çka referohemi për ti dhënë kuptim ekzistencës tonë?

Ramazani është një koncept që u përgjigjet këtyre pyetjeve. Është diçka që ua kujton fëmijëve se kush janë. Fëmijët e përkujtojnë papritur se kush janë në të vërtetë – edhe sikur ta kishin harruar -, e përjetojnë gëzimin e iftarit dhe e thithin atmosferën shpirtërore që vjen me Ramazanin. Prandaj, Ramazani është shumë i rëndësishëm për sa i përket shprehjes së vazhdimësisë kulturore dhe mundësisë për orientim të identitetit tonë. Është një muaj kur jepen përgjigje të shëndetshme për pyetjet se kush jemi dhe ku përkasim. Me frymëzimin e kulluar të Ramazanit, ne mund ta drejtojmë jetën tonë në një mënyrë më të bukur dhe më kuptimplote.

Sigurisht, maja e të gjitha këtyre është se Ramazani na kujton faktin se ne nuk e jetojmë jetën tonë vetëm për këtë botë dhe se jeta ka një qëllim shumë më të madh. Bota është vend akomodimi, trupi është i brishtë, ndërsa jeta e vdekshme. Nuk është shumë domethënëse të jetosh një jetë që I ka këto karakteristika. Një jetë kaq e brishtë dhe që mund të përfundojë kaq menjëherë. Kjo është një jetë që në një mënyrë na thotë “Përtej duhet të ketë një jetë tjetër, një shpërblim”. Në Ramazan, ne e kuptojmë këtë edhe një herë në mënyrë kolektive. Është një periudhë kohe që kolektivisht na kujton se jeta jonë nuk është e humbur, por ajo ekziston për t’i shërbyer Krijuesit dhe për ta falënderuar Atë.

Unë mendoj se kjo është më e rëndësishmja…