Gara për komunën e Strugës kush janë kandidatët e përfolur

Komuna e Strugës konsiderohet si një nga bastionet e partive shqiptare në zgjedhjet lokale, që do të mbahen në tetor të këtij viti.
Partitë politike tashmë kanë filluar që të kalkulojnë me emrat e kandidatëve, që pritet të shpallen gjatë verës, por edhe më herët.

Deri tani nuk ka ndonjë emër të publikuar, pasi që partitë po zhvillojnë debate të brendshme dhe vlerësime nga anëtarësia për të parë se cili është kandidati më i votuar apo më i preferuar.

Reklame

BDl e cila udhëheq me komunën e Strugës nuk jep detaje se kush mund të jetë kandidati për zgjedhjet e tetorit. Jozyrtarisht nga koluaret partiake mësohet se Ramiz Merko mund të jetë sërish pretendent për garën, duke pasur parasysh përkrahjen që ka në strukturat lokale partiake, ku ai është kryetar.

Përveç tij si kandidat përmendet edhe ministri i Shoqërisë Informatike dhe Administratës, Jeton Shaqiri, por në garë janë edhe emra të tjerë.

 

Nga koalicioni opozitar Aleanca për Shqiptarët dhe Alternativa ditëve të fundit u përfol Argëtim Saliu, një biznesmen i përfolur strugan në Zvicër. Përveç tij janë edhe emra të tjerë, ku ndër ta përmendet edhe Garip Kaba, i cili gëzon përkrahje të gjerë në Strugë. Nga ASH-AA thonë se nuk ka asnjë emër konkret të përcaktuar dhe se forumet partiake pritet të vendosin gjatë muajve të ardhshëm.

Lëvizja BESA nuk bën të ditur se a do të nxjerrë kandidat për zgjedhjet lokale në Strugë, edhe pse kreu i kësaj partie ditë më parë theksoi se po organizohen për zgjedhjet e tetorit për të konkurruar me emra në disa komuna.

Megjithatë nga kjo parti mund të ketë marrëveshje me LSDM për përkrahje të ndonjë kandidati që do të jetë kompromis midis partnerëve të koalicionit. Nga koalicioni LSDM po ashtu nuk bëjnë të ditur se si do të veprojnë në Strugë, a do të kenë një kandidat për raundin e parë dhe më pas të shkohet me marrëveshje me partnerët e koalicionit për raundin e dytë.

Një nga emrat e përfolur që mund të marr përkrahje për kandidaturën në Strugë është edhe Sefer Canoski, pronari i Universitetit FON dhe biznesmen i suksesshëm. Por gjithçka mbetet jozyrtare. Edhe VMRO-DPMNE bën të ditur se do të ketë kandidatin e saj për Strugën, por nga kjo parti thonë se është herët për të vendosur.