Gjermania do të lu ftojë regjimet autokrate në Ballkan

Partia e Gjelbër në Gjermani ka bërë të ditura planet për emërime nëpër ministri, teksa përgatitet për të qenë pjesë e Qeverisë për herë të parë në 16 vjet.

Pas dy muajve negociata prej mbajtjes së zgjedhjeve federale, Social-Demokratët e qendrës së majtë (SPD), Partia e Gjelbër dhe Demokratët e Lirë, kanë arritur marrëveshje për koalicion qeveritar.

Reklame

Në një adresim para anëtarëve të partisë më 24 nëntor, një zyrtar i lartë i Partisë së Gjelbër, Michael Kellner, ka thënë se bashkudhëheqësi i tij, Robert Habeck do të udhëheqë “super ministrinë” duke bërë bashkë, ekonominë, energjinë dhe mbrojtjen e klimës.

Ai po ashtu pritet të jetë nënkancelar i Gjermanisë, shkruan REL. Kancelari i ri gjerman pritet të jetë Olaf Scholz nga SPD, i cili do të zëvendësojë kancelaren, Angela Merkel, pas formimit të Qeverisë në fillim të muajit dhjetor.

Bashkudhëheqësja e Partisë së Gjelbër, Annalena Baerbock, pritet të jetë gruaja e parë në pozitën e Ministres për Punë të Jashtme.

Ajo ka dhënë shenja se do të jetë më e vendosur kundër shteteve me regjime autoritare sikurse Kina dhe Rusia, duke i vënë të drejtat e njeriut në qendër të diplomacisë.

DW shkruan gjithashtu se qeveria e re do ta ketë në vëmendje Ballkanin. Drafti i marrëveshjes së koalicionit që pritet të qeverisë Gjermaninë në katër vitet e ardhshme përmban disa risi sa i përket Ballkanit Perëndimor. Qeveria e re pritet të jetë më e zëshme kundër autokratëve.

Përmendja e prioriteteve për secilin shtet të Ballkanit Perëndimor është gjithashtu një risi në historinë e koaliconeve gjermane. Në marrëveshejet e mëparshme, Ballkani Perëndimor, ose përmendej vetëm si rajon me perspektivë evropiane ose nuk përmendej fare.

“Hapi vijues është çelja e kapitujve të parë të anëtarësimit në BE me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut, duhet vendosur liberalizimi i vizave me Kosovën dhe të vazhdohen negociatat me Malin e Zi dhe Serbinë”, thuhet në marrëveshjen e prezantuar të mërkurën pasdite në Berlin.

Dora e të gjelbërve

Bodo Weber, analist i pavarur nga Berlini, thotë se në këtë tekst ndiehet dukshëm ndikimi i partisë Aleanca 90/Të Gjelbërt, që është paraparë të drejtojë ministrinë e punëve të jashtme.

“Teksti i marrëveshjes së koaliconit për Ballkanin Perëndimor, është thuajse i njëjti me pasazhin përkatës në programin elektoral”, konstaton Weber. Ministrja e jashtme e Gjermanisë pritet të jetë Analenna Baerbock, ish-kandidatja e të gjelbërve për kancelare.

Johanna Deimel, analiste e pavarur nga Mynihu, i tha DW, se fakti që vendet e Ballkanit trajtohen secili më vete flet për rëndësinë që i jep koalicioni i ri këtij rajoni: “Kjo është me të vërtetë një pikë shumë e rëndësishme. Me këtë koalicioni i ri dëshmon se e konsideron rajonin e Ballkanit Perëndimor me rëndësi strategjike dhe pjesë integrale të procesit të bashkimit të Evropës.”/REL/ DW