Gjermania, eksportuesi që shkakton probleme

17

A po i vjen fundi i dekadës së artë të Gjermanisë? Biznesi gjerman është i paqëndrueshëm si pasojë e tensioneve gjeopolitike

Në pjesën më të madhe të dekadës së kaluar, Gjermania ka qenë një rast përjashtimi i dobësisë ekonomike që përfshiu pjesën tjetër të Europës, shkruan The Economist. Mbështetur në disa prej të dhënave të kohëve të fundit, edhe gjermanët e fuqishëm mund të rezultojnë që të jenë në probleme serioze.

Pas rënies së ekonomisë me 0.2% në tremujorin e tretë të vitit të kaluar, prodhimi industrial u tkurr me 1.9% nga muaji në muaj në nëntor. Këto të dhëna janë më të ulëta se rritja e parashikuar prej 0.3%, duke rritur frikën në vend se mos Gjermania është në prag të një recesioni teknik.

Sipas të dhënave të fundit të publikuara nga Instituti i Statistikave të Gjermanisë, PBB-ja u rrit me vetëm 1.5% në vitin 2018, krahasuar me 2.2% në vitin 2017 duke deklaruar se rritja ekonomike e “ka humbur vrullin”. Besimi i biznesit po bie gjithnjë e më shumë. Së fundmi, FMN-ja rishikoi parashikimin për rritjen e Gjermanisë në vetëm 1.3% këtë vit, me një rënie prej 0.6 pikësh nga parashikimi i bërë në tetor, njëkohësisht edhe një prej rënieve më të larta të ekonomive të mëdha.

Fondi theksoi kërkesën e dobët të konsumatorëve brenda dhe jashtë vendit dhe vendosjen e standardeve më strikte në lidhje me emetimin e karburantit për prodhuesit e makinave, të cilët e kanë ngadalësuar përkohësisht prodhimin.
Dobësia e gjigantit ekonomik të Europës ka krijuar shqetësime të shumta edhe jashtë Gjermanisë. Por ekonomistët dhe sipërmarrësit brenda vendit po reagojnë në mënyrë stoike.

“Por themelet kryesore të këtij shteti janë ende të forta”, u shpreh Holger Schmieding, kryeekonomist në Berenberg, banka më e vjetër private e Gjermanisë. Gjermania ka punëtorë të kualifikuar, inxhinierë të nivelit të lartë, pothuajse nuk ka fare papunësi, ka rritje të nivelit të pagave dhe një politikë të qëndrueshme.