Gjermania ka mungesë të 4 mijë infermierëve në kohë pandemie

Advertisment

Është bërë e ditur se mjekët reanimatorë në Gjermani paralajmërojnë për mungesën e 3500 deri në 4000 infermierëve për të përballuar pacientët me Covid-19 në spitalet gjermane.

Së fundmi, në spitalet gjermane janë shtuar kapacitetet e shtretërve dhe të aparateve të frymëmarrjes për pacientët SARS-CoV-2, por ka mungesa të mëdha infermierësh dhe personeli ndihmës, tha Presidenti i Shoqatës Ndërdisiplinare Gjermane të Mjekëve të Reanimacionit dhe të Urgjencës, Uwe Janssens.

Reklame

Sipas tij, vetëm aparatet dhe shtretërit nuk mjaftojnë, kur në gjithë Gjermaninë mungojnë rreth 3 500 deri në 4 000 punonjës të specializuar në fushën e reanimacionit, shkruan DW.

Nga ana tjetër, kryetarja e Sindikatës së mjekëve, Marburger Bund, Susanne Johna, mendon se së shpejti mungesa e personelit në spitale do të duket qartazi, sepse “gjashtë deri në nëntë për qind e të infektuarve sot pritet të kenë nevojë për t’u trajtuar në spital brenda dy javësh”. Ajo tha se për çdo pacient të sëmurë rëndë me COVID-10 nevojitet një infermiere në repartin e reanimacionit.

Ndërkohë presidenti i Shoqatës së Spitaleve Gjermane, Gerald Gaß, tha se vërtet mungesa e personelit infermieror është “sfida qendrore nëse numri i pacientëve rritet”, por ajo mund të përballohet me riorganizimin e personelit brenda spitaleve. Sipas tij, vetëm një ndër pesë pacientë që shtrohen në spital me korona ka nevojë për trajtim mjekësor intensiv në repartin e reanimacionit.

Duhet theksuar se gjithnjë e më shumë zona në Gjermani konsiderohen tanimë si zona rreziku. Në disa rajone janë mbyllur përsëri shkollat dhe kopshtet, si p.sh. në Berchtesgadener Land apo Rottal-Inn në Bavari. Po ashtu shumë zona kanë vendosur edhe mbylljen e restoranteve. Kufizimet vlejnë fillimisht për dhjetë ditë.

Qeveria federale gjermane dhe disa nga kryeministrat e landeve kanë theksuar vazhdimisht që shkollat, kopshtet dhe ndërmarrjet mundësisht nuk duhet të preken nga një bllokim i dytë. Prandaj, fokusi i masave kufizuese tani po përqendrohet gjithnjë e më shumë te baret, restorantet, tek vendosja e orëve policore/shtetrrethimeve dhe tek eventet. /Albinfo.ch