Gjermania së shpejti do të dërgojë armatim të rëndë në Ukrainë

Gjermania do të dërgojë shtatë obusë në Ukrainë, tha Ministria e Mbrojtjes të premten, duke shtuar kështu dërgesat e armëve të rënda për t’i ndihmuar Kievit kundër pushtimit rus.

Obusët e llojit Panzerhaubitze 2000s janë nga stoku i ushtrisë dhe aktualisht Gjermania nuk i përdorë të njëjtit.

Reklame

Ky njoftim i Gjermanisë vjen pasi pesë obusë të modelit të njëjtë iu dërguan Ukrainës nga Holanda, tha ministrja gjermane e Mbrojtjes, Christine Lambrecht, gjatë vizitës në Sllovaki.

Ushtria gjermane ka rreth 100 obusë 2000s në stok, por vetëm 40 prej tyre janë të gatshëm për luftime.

Ende nuk është dhënë ndonjë datë se kur do të dërgohen këto armë në Ukrainë.

Ushtarët ukrainas pritet që javën e ardhshme të trajnohen në Gjermani për të përdorur obusët.

Qeveria e kancelarit gjerman, Olaf Scholz, është përballur me kritika pasi nuk ka ofruar armatime për Ukrainën, aq sa kanë ofruar aleatët perëndimorë. Por, në fund të prillit, Berlini u pajtua që të dërgonte tanke në Ukrainë.