Gjobiten 7 kompani, u hiqen licencat! Kontrolle të jashtëzakonshme urgjente pas skandalit me mazutin

Institucionet zbatuan kontrolle të jashtëzakonshme urgjente për ta zbardhur aferën me mazutin, por megjithatë hapat e tyre nuk ishin më të shpejtë nga storia gazetareske e cila e zbuloi skandalin në fjalë. Për këtë në opinionin publik qarkullonin zëra për një kohë më të gjatë, kurse cilësia e karburantit që përdoret, ende mbetet nën pikëpyetje.

“Menjëherë pas publikimit të stories, me propozimin tim bashkë me Ministrinë e Ekonomisë erdhëm deri në konkluzion dhe menjëherë i obliguam institucionet kompetente të veprojnë me kontrolle të jashtëzakonshme të hollësishme urgjente në të gjithë procesin, duke filluar nga importi dhe prodhimi deri te shitja e derivateve të naftës”, tha Lupço Nikollovski – zëvendëskryeministër për Luftë Kundër Korrupsionit.

Reklame

Institucioneve u ishin dashur plot 3 javë që ta zbardhin rastin pjesërisht.
Janë regjistruar parregullsi te më shumë kompani, kurse 7 prej tyre janë gjobitur me gjithsej 55.510 euro.

“Do të doja të theksoja se sipas detyrimeve të qeverisë gjatë kontrolleve të jashtëzakonshme të inspektorëve, janë përfshirë të gjitha kompanitë e tjera për import ndërsa kontrollet janë bërë në të gjitha fazat, që nga importi deri në procesin e magazinimit dhe shfrytëzimit të derivateve të naftës”, u shpreh Kreshnik Bekteshi – Ministër i Ekonomisë.

Kompanitë te të cilat janë regjistruar parregullsi.

BLU TEKNOLOXHI – Mazut PPD i cili nuk është deklaruar në rregulloren për cilësinë e karburanteve të lëngshme, ndalesë e përkohshme për ta lëshuar produktin në qarkullim, evidencë joadekuate kontabiliteti”.

SANS AG SHTIP – Prodhimi i mazutit nga goma të vjetra, ndalesë për punë dhe kërkesë për marrjen e lejes për punë.

EVROTIM – Lëshime nga vlerat kufitare të mazutit, ndalesë e përkohshme për lëshim, mospasje e rezervave, ndalesë për lëshim të mazutit në qarkullim, 500 tonelatë mazut jocilësor

SUPERTRELL – Niveli i ujit brenda karburantit është mbi sasinë e lejuar

RKM SHPKNJP – Produkti është deklaruar si derivat i naftës i cili nuk u nënshtrohet akcizave, ndërsa bëhej fjalë për mazut për të cilin duhet të paguhet akcizë. Është arkëtuar borxh prej 24 mijë eurove nga Drejtoria doganore.

KA OIL KAVADARË – Ndalesë për punë, pa licencë nga KRRE-ja

Janë bërë kontrolle në 5 pompat më të mëdha të benzinës. Është kryer analiza e parë, por priten rezultatet nga disa laboratorë të tjerë. Pas kësaj do të publikohen emrat e pompave të benzinës, nëse detektohen parregullsi.