Gjoka: Nuk më kënaq barazimi pasi në pjesën e dytë merituam fitoren

Advertisment

Trajneri Gjoka ndjen keqardhje që nuk fituam Strugën, por lavdëron skuadrën për qasjen në fraksionin e dytë të ndeshjes.

Barazimi 1:1 në transfertën me Struga Trim&Lum ka lënë Shkëndijën lidere të renditjes, pasi edhe rivalët Makedonija e Shkupi kanë luajtur pa gola. Kuqezinjtë ishin në negativë pas 12-të minutave lojë kur Ristevski u dha vendasve epërsi, ndërsa barazuam me Ibraimin 14-të minuta para fundit. Në fund patëm mundësi për përmbysje, por pa gjetur golin e dytë një pikë ishte maksimumi që mund të merrej. Pikërisht qasja që solli skuadra në fraksionin e dytë ka lënë të kënaqur trajnerin Ernest Gjoka që ndjen keqardhje që nuk patëm fat të përmbysnim rezultatin.

Reklame

Ernest Gjoka: “Nuk them se mirë që barazuam. Kjo nuk është normale, sepse ne barazuam dhe gjatë gjithë pjesës së dytë kemi kërkuar ta fitojmë ndeshjen. Sigurisht pjesa e parë, ku pësuam një gol nga një moment krosi dhe kundërshtari dha maksimumin në pjesën e parë. Por edhe ne kishim rastet tona në pjesën e parë për të shënuar gol, dy herë me Dashmir Elezin apo goditjen e Armend Alimit. Ndërkohë në pjesën e dytë ishte tjetër çështje, ne barazuam ndeshjen dhe kërkuam me çdo kusht për ta fituar. Kështu që thjesht ishte mungesë fati për të mos shënuar golin e dytë, por unë personalisht sot jam i kënaqur me atë që tregoj skuadra në pjesën e dytë. Sakrifikuam shumë, çunat dhanë gjithçka dhe në qoftë se do të vazhdojmë me këtë agresivitet që treguam në pjesën e dytë, me dëshirën për të fituar ndeshjen, unë mendojë se ekipi do të jetë në rrugë të mbarë siç është deri tani.”

Ernest Gjoka: “Kjo është pjesë e lojës që në kampionatin e Maqedonisë, një gjë e natyrshme dhe e zakonshme që 10 ose 15 minuta janë vetëm humbje topi nga kundërshtarët. Por, problem kryesor që më shqetëson është se nuk e them për justifikim apo për diçka të tillë, por është ajo që më kërkojnë çunat me këmbëngulje, është të shikohet mundësia e gjykimit sepse më duket sikur po na gjykojnë pak me tendencë kundër nesh.”

Ernest Gjoka: “Jo vetëm për kartonin që nuk ju dha Ristevskit, por për shumë ndërprerje, për shumë ndihmë kundërshtarit që për çdo faull e dërgonte topin deri në zonë. Sepse ne jemi profesionist të fushës dhe e dimë dhe e shohim me sy kur dikush do të ndihmojë dhe të japë diçka që të shtyjë deri në zonë me faulle. Gjithsesi kjo nuk është çështja ime, por thjesht po transmetoj fjalët e skuadrës që po luajmë gjithmonë, jo me 11-të përballë, por me 14-të përballë.”