Goce Delçevi dhe plisi i bardhë (FOTO)

Advertisment

Shkruan: Seladin Xhezairi

Në një distancë kohore disavjeçare, Ali Ahmeti, të paktën dy herë, ka përmendur revolucionarin e njohur Goce Delçev, mbase për të riafirmuar atë kredon e tij për ‘botën si fushë garash të kulturuara të popujve’. Në të dyja herat, duke iu bërë thirrje politikanëve, po pse jo dhe historianëve maqedonas, që të braktisin intolerancën ndëretnike e ndërfetare, lideri i shqiptarëve në Maqedoninë e Veriut, i është referuar pikërisht kursit të Delçevit (1872-1903): ‘…Nëse kanë sado pak respekt për atdhetarin e tyre Goce Delçevin, le të kthehen dhe le ta shohin se me plis të bardhë Goce Delçevi ka mbajtur fjalime përpara shqiptarëve…’!

Reklame

Deklarata e këtillë e Ahmetit, e fundit u bë nga Ura e Gurit në Shkup, në hovin e fushatës për zgjedhjet e fundit parlamentare, u shërbeu oponentëve të tij politik, por ç’është më e keqja, edhe historianëve, të të dyja taborreve politike e etnike, si pretekst për ta akuzuar atë se ‘me momente të trilluara historike nga jeta dhe veprimtaria e revolucionarit maqedonas, Goce Delçev, dëshiron t’ia dalë të ndikojë në uljen e tensioneve mes maqedonasve dhe shqiptarëve,’ dhe se konform kësaj, Delçevi kurrë nuk ka mbajtur plis të bardhë: ‘Ky është trillim. Goce Delçevi kurrë, as rastësisht nuk ka mbajtur plis. Për këtë nuk ka kurrfarë dëshmish, as fotografi, as shkrime,’ – do t’i thotë portalit mkd.mk historiani Novica Veljanovski. Në po këtë vijë ka qenë, më vitin 2012-ën edhe historiani shqiptar Nebi Dervishi, i cili pretendon ‘me përgjegjësi të plotë se kjo nuk është e vërtetë’!

Edhe historiani Reshat Nexhipi e ndonjë tjetër që vetes i thonë ‘historian’, apo edhe pedagogë universitarë e politikanë, ndajnë po këtë mendim: Se nuk ka dokumente që provojnë pretendimet e kreut të BDI-së. Mirëpo, njëri ndër biografët më të mirë të Goce Delçevit, bashkëkohaniku i tij Pejo Javorov (Пейо Яворов), të thuash katërcipërisht rrëzon poshtë ‘përgënjeshtrimet’ e sipërpërmendura. Larg asaj që Goce Delçevi të ketë qenë shqiptar apo edhe të ketë punuar për ‘kauzën shqiptare’, ama ‘e zeza mbi të bardhën’ i jep të drejtë Ali Ahmetit: Fotografia e mësipërme rezulton të jetë bërë gjatë vitit 1903-1904 dhe në të identifikohet qartë revolucionari Delçev me plis të bardhë! Dhe, jo vetëm kaq. Javorov shkruan se Goceja ka qëndruar në Maqedoni kah mesi i janarit të vitit 1903 dhe me këtë rast i bën edhe përshkrimin, mbase të vetmin që përvijon tiparet e tij:

‘Plisi i bardhë arnaut me shall të zi, i mbështjellë përreth, e mbulonte jo aq shumë kokën. Palltoja e përhimtë prej shajaku, tirqit e përhimt prej shajaku dhe çashiret me ngjyrë arre të përveshura deri në gjunjë në opingat e shtrënguara – i shquante format e drejta të një figure mesatare. Qepeja e përhimtë e mbyllur, e veshur vetëm në krahun e majtë, gjysmë e ngjeshur dhe e tërhequr deri në gjysmë në të djathtë, i jepte veçmas bukuri hyjnore gjithë shfaqjes së krenarisë. Me kamë, revolver dhe brezoren me fishekë në bel, me maliherin e hedhur mbi sup, Gocja i ngjante një perëndie kaçake,’ – është portretimi i Goce Delçevit nga biografi i tij Pejo Javorov.

Dhe tash, çka të thuhet për reagimet e zhurmshme për diçka që ka mund të provohej shumë lehtë, që më 2012-ën, por edhe tetë vjet më pas? Për arsye të njohura (Novica Veljanovski pohon se në hapësirat ku Goceja ka vepruar nuk paska pasur shqiptarë, madje sipas tij, para njëqind vjetësh shqiptarët edhe në Shkup paskan mundur të numërohen me gishta?!), mund të kuptohet reagimi i historianëve dhe politikanëve maqedonas, por si të shpjegohet vreri i atyre politikanëve dhe historianëve shqiptarë? Të merremi vesh: nuk është se u bë nami, por çështjet dhe punët duhet të tregohen e interpretohen ashtu sikurse edhe janë. Ali Ahmeti ka të drejtë për shkak se, në rastin konkret, duket se Goce Delçevi ka mbajtur plis, se ka dëshmi, ka fotografi, ka dhe shkrime! Të tjerat, nëse nuk janë mosnjohje e historisë, janë më shumë se politikë. Shkencë – jo se jo!