Gostivar, përgjatë lumit “Vardar” vendosen litare çeliku për shpëtim

Advertisment

Përgjatë lumit “Vardar” në Gostivar janë vendosur litare prej çeliku për shpëtim. Kjo vepër fisnike vjen nga Isni Mahmudi nga fshati Tërnovë i cili jeton dhe vepron në SHBA. Vendosja e telave ka ardhur pas ngjarjeve të fundit tragjike që rezultuan me dy persona të mbytur në Vardar. Mahmudi thotë se nisma e tij vjen si një reflektim momenti kundrejt ngjarjeve të fundjavës. Ai mirëpret edhe çdo iniciativ tjetër që mund të ndërmerret në këtë drejtim. Sqaron se paraprakisht për të vendosur këto tela ka marrë lejen e autoriteteve lokale të Gostivarit.

Kjo vepër humane e Mahmudit është mirëpritur nga banorët e Gostivarit. Albert Musli – banor i Gostivarit, thotë se nëse këto tela do të ishin vendosur vetëm një javë më parë, Gostivari sot do të numëronte dy viktima më pak.

Reklame

Gjithsej janë vendosur gjashtë tela të këtilla duke filluar nga ura e madhe mbi lumin “Vardar” afër Gjykatës Themelore të Gostivarit e deri në fshatin Balindoll. Telat janë të përforcuar në të dyja brigjet e Lumit.