Gostivari nën tym, digjet deponia “Rusino”, Komuna kërkon nga Qeveria që të merr masa (VIDEO)

Advertisment

Deponia “Rusino” në Gostivar gjatë natës së mbrëmshme është përfshirë përsëri nga zjarri, me çka kundërmim i pakëndshëm i mbeturinave të djegura tërë natën i shqetësoi banorët.

Rasti është paraqitur mbrëmë në polici dhe po punohet për gjetjen e autorit.

Reklame

“Në ora 22:45 minuta me 8 korrik, në SPB Tetovë është raportuar për aktivizim të zjarrit në deponinë e përkohshme “Rusino” të Gostivarit, që sipas tregimit të punësuarit për sigurimin e kësaj deponie, zjarri është përhapur në tri vende rreth orës 13.00. Është kryer inspektimi në vendin e ngjarjes për zbardhjen dhe dokumentimin e plotë të rastit”, thonë nga Sektori për Punë të Brendshme Tetovë.

Kryetari i Komunës së Gostivarit Arben Taravari kërkoi që Qeveria të merr masa, ose t’i kthehen kompetencat komunës për këtë deponi që ata ta menaxhojnë.

“Kemi zjarr në deponinë Rusino, zjarr që çdo javë apo çdo tre katër ditë krijohet nga njerëzit që ne akoma nuk mundemi akoma t’i identifikojmë dhe kemi ngritur padi për person të panjohur që e bën këtë. Unë e ftoj Qeverinë pasi i ka kompetencat për deponinë Rusino që unë e kamë edhe dokumentin se kush i ka kompetencat që të vijë dhe të vepron ose le të na kthen kompetencat që të veprojmë ne ashtu siç duhet atje”, deklaroi Arben Taravari, kryetar i Komunës së Gostivarit.

Në deponinë Rusino mblidhen mbeturinat e gjitha komunave të rajonit të Pollogut. Gjatë dy muajve të fundit kjo deponi disa herë është përfshirë nga zjarri me çka autoritetet komunale të Gostivarit dyshojnë se këtë dikush e bënë qëllimisht.