Rritet sërish numri i të infektuarve me Covid 19 në Gostivar

Advertisment

Gostivari sërish shënon numër të lartë të të infektuarve me virusin korona. Ai sot është qyteti i dytë në vend për nga numri i të infektuarve të rinj. Sipas të dhënave të autoriteteve shëndetësore, gjatë 24 orëve të kaluara në rajonin e Gostivarit janë regjistruar 18 raste të reja me Covid 19, 9 pacientë janë shëruar, kurse një pacientë i moshës 61 vjeçare nuk ka mundur ti mbijetojë virusit. Mjeku infektolog, Enes Memedi, bën të ditur se aktualisht në Repartin Infektiv të Gostivarit trajohen 16 pacientë të prekur nga virusi korona, dy prej të cilëve janë në gjendje më të rëndë shëndetësore.

Me shifrat e fundit, në Gostivar nga fillimi i pandemisë numri i të infektuarve ka shkuar në 882, 740 pacientë janë shëruar, ndërsa 94 raste janë aktive me Covdi 19. 48 persona kanë humbur jetën si pasojë e virusit të ri. Infektologu Memedi ka dërguar apel deri te Ministria e Shëndetësisë që të furnizojë Spitalin e Gostivarit me terapi adekuate për trajtimin e pacientëve të prekur nga virusi korona.

Reklame

Memedi thotë se kohëve të fundit edhe një pjesë e pacientëve të diagnostikuar me Covid 19 nga Kërçova, trajtohen në Gostivar, gjë e cila ka rritur numrin shtretërve të zënë në infektivin e Gostivarit. Ndryshe, gjatë 24 orëve të fundit në vendin tonë janë regjistruar 186 raste të reja me Covid 19, 7 pacientë kanë humbur jetën, kurse numri i të shëruarve është 86.