Grenell: Kurti më shikoi drejt në sy dhe më tha se do ta heqë taksën

Emisari i Presidentit Amerikan në bisedimet Kosovë –Serbi Richard Grenell,në një intervistë për T7 ka zbuluar detaje të bisedave me Kryeministrin në dorëheqje Albin Kurtin duke thënë se ai i kishte premtuar heqje të taksës.

“Ai më shikoi në sy dhe tha se ata do ta largojnë taksën” ka thënë Grenell. Sipas tij, është qëndrim i Shtetet e Bashkuara se “taksa prej 100 për qind që është zbatuar para z.Kurti ka qenë duke i dëmtuar ekonominë dhe popullin e Kosovës më së shumti”.

“Prandaj, për ne nuk ka kuptim që të ketë politika që janë duke e dëmtuar ekonominë, që nuk i lejojnë bizneset të lëvizin përpara dhe të krijojnë vende pune. Kjo i prek të rinjtë që duan vende pune dhe kur politikat e dëmtojnë vetë ekonominë, nuk duhet të pritet nga ne, Shtetet e Bashkuara, që të vazhdojmë t’i përkrahim politikat që janë duke i dëmtuar njerëzit dhe aktivitetin e krijimit të vendeve të punës” ka shtuar Grenell.

Emisari amerikan ka thënë se ekonomia amerikane, nën udhëheqjen e Trumpit ka qenë e mahnitshme dhe se pikërisht për Kosovën e Serbinë Trump i kishte kërkuar atij që të ndihmojë për të krijuar hapa nxitës ekonomikë dhe një atmosferë pro-biznesore në mënyrë që të rinjtë të gjejnë vende pune.