Greqia me ankesë deri te UEFA për shkurtesën FFM në fanellat

Federata e Futbollit të Maqedonisë nuk ka asnjë obligim ta ndryshojë emrin, respektivisht ta shtojë fjalën “E Veriut”, në pajtueshmëri me Marrëveshjen e Prespës, thotë ministri i jashtëm, Bujar Osmani. FFM është një organizatë jofitimprurëse e cila nuk merr para shtetërore, kurse detyrimet që dalin nga Marrëveshja e Prespës kanë të bëjnë me institucionet shtetërore.

Gazeta greke “Katimerini” më parë publikoi se ministri grek për sport ka reaguar deri te kryetari i UEFA-s Aleksandar Çeferin lidhur me shkurtesën FFM në fanellat e futbollistëve tanë për Kampionatin Evropian.

Reklame

“Federata e Futbollit të Maqedonisë është një organizatë e pavarur dhe jofitimprurëse që është regjistruar në Regjistrin qendror si një shoqatë që nuk merr para të shtetit.

Sipas Marrëveshjes së Prespës, çështja e emrit vlen për institucionet, organizatat dhe shoqatat që marrin para nga shteti. Kështu që, derisa dikush nuk merr para shtetërore, nuk ka asnjë detyrim ta përshtatë emrin e vet”, deklaroi Bujar Osmani – Ministër i Punëve të Jashtme./TV21