Guardiola tregon sekretin e suksesit të Manchester Cityt

Advertisment

Manchester City i këtij sezoni është makineri perfekte.

Falë suksesit minimal 0-1 ndaj Arsenalit në “Emirates Stadium” me një gol të Raheem Sterlingut që në minutën e 2-të, skuadra e Pep Guardiolës regjistroi fitoren e 18-të radhazi në të gjitha kompeticionet dhe të 13-n rresht në Premier League.

Reklame

Me triumfin ndaj topçinjëve brenda në Londër Manchester City u ngjit në kuotën e 59 pikëve dhe kryeson bindshëm kampionatin pas 25-javësh me 10 pikë avantazh nga dy ndjekëset më të afërta Manchester Unitedit dhe Leicesterit.

Pep Guardiola në intervistën pas ndeshjes vlerësoi maksimalisht paraqitjen e skuadrës së tij, duke nënvizuar:

“Ishte një ndeshje e vështirë. Mikeli është shumë i zgjuar dhe ne nuk kishim në dispozicion lojtarët që kemi luajtur në ndeshjet e fundit, por ia dolëm. E filluam shumë mirë ndeshjen, sidomos në 15-20 minutat e para. Bëmë një pjesë të dytë perfekte dhe jam i kënaqur me tri pikët, sepse i morëm në “Emirates” dhe e di se sa mirë luan skuadra e Mikel Artetas në stadiumin e vetë”.

Trajneri spanjoll, foli edhe për ecurinë e shkëlqyer të Citiziens gjatë kësaj periudhe, duke zbuluar edhe sekretin e fitoreve radhazi.

“Sekreti i fitoreve radhazi? Ky rekord do të thyhet një ditë, por sekreti i vetëm është të mendosh për ndeshjen tjetër. Nuk e kam pritur këtë ecuri në dy muajt e fundit, duhet t’i kujtojmë gjithmonë triumfet që kemi arritur në Anfield ndaj Liverpoolit, por edhe kundër Tottenham e Evertonit”.