Haradinaj, Ramës: Po bëhesh nervoz, por ne në Kosovë nuk hamë bar

Advertisment

Kryeministri në detyrë i Kosovës, Ramush Haradinaj thotë se ideja për nismën e quajtur “minishengen” ka ardhur me qëllim të heqjes së taksës ndaj Serbisë.

Sipas tij, është i pakuptimtë një projekt ku Serbia do të përfitonte prej tregut të Kosovës ndërkohë që kjo e fundit nuk do të kishte asnjë përfitim.

Reklame

LEXO EDHE:
Kaso: Tentativa e Ramës për të miratuar një pseudoreformë Zgjedhore, kundër Bundestagut
Në një intervistë për KosovaPress, Haradinaj i përgjigjet edhe deklaratës së kryeministrit të Shqipërisë Edi Rama, i cili kishte thënë se Haradinaj është gënjeshtar, pasi ky i fundit kishte deklaruar se “minishengeni” po bëhet për heqje të taksës.

Ramush Haradinaj thotë se përmes “minishengenit” të gjithë ata që kanë investuar në ekonominë e Serbisë, përfshirë Rusinë, do të mund të kishin edhe Kosovën si treg.

Kujtojmë se kur Haradinaj pati deklaruar se “minishengeni” do të mundësonte heqje të taksës, kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama e kishte quajtur gënjeshtar. E Haradinaj thotë se Rama duhet të kuptojë që në Kosovë njerëzit “nuk hanë bari”.

“Po ai po bëhet nervoz, ai duhet ta kuptojë që bari nuk hamë në Kosovë, ne me këto tema jetojmë gjithë kohën, ne nuk kemi qare pa i nxjerr në dritë këto probleme, nuk mundemi me i hesht. Imagjinoni unë me hesht presionin për ndarje të Kosovës ose presionin që me i bë Kosovës lojëra të ndryshme që me kyç në ndonjë proces ku Kosova nuk vjen në sistem realisht, në mënyrë që Kosova me heq taksën dhe Serbia të përfitojë prej tregut tonë pa asnjë efekt pozitiv për Kosovën, kjo është e pakuptimtë”, thotë Haradinaj.

Haradinaj thotë se nuk dëshiron të prishë gjuhën e komunikimit, ndërkohë deklaron se shqiptarët kudo janë vëllezër. Ai thotë se mund të bëhet “minishengen” Kosovë-Shqipëri bilateral, por jo një i tillë duke përfshirë Serbinë.

Sipas Haradinajt, taksa në rrugën e kombit duhet të hiqet, që të largohen pengesat dhe të krijohet më shumë infrastrukturë e ndërsjellë. Por, Haradinaj vlerëson se taksën nuk do ta heq as Qeveria e re e Kosovës.

Ramush Haradinaj po vazhdon të drejtojë Qeverinë e Kosovës në detyrë, meqë partitë fituese të zgjedhjeve të 6 tetorit, Lëvizja Vetëvendosje dhe Lidhja Demokratike e Kosovës, ende nuk e kanë një koalicion qeverisës përmes së cilit do të krijonin institucionet e reja të ekzekutivit.