Harun Isa, futbollisti tetovar që në vitin 2001 mori medalje nga kancelari gjerman Shreder

Rrëfim i veçantë dhe interesant: Harun Isa flet për karrierën në Gjermani, bisedën me ish-kancelarin gjerman, Schröder, shkëmbimet e fanellave me Scholl dhe Müller, pengjet…
Harun Isa nga Tetova ka pasur një karrierë të suksesshme prej futbollisti në Gjermani, duke luajtur për 10 vite të plota nga sezoni 1993-94 e deri te viti 2004.

Ai luajti për disa klube si Hertha Zehlendorf (1993-1994), Hertha BSC (1994–1995), Tennis Borussia Berlin (1995–1999), Erzgebirge Aue (1999–2000), Union Berlin (2000–2002) dhe VfL Osnabrück (2002-2004). Te këta të fundit e mbylli karrierën në moshën 35 vjeçare.
Gazetari sportiv Reshat Ibrahimi ka kontaktuar me të për të folur rreth kësaj kohe, por edhe për karrierën e tij.

Reklame

Harun Isa sot është 50-vjeç dhe jeton me familjen e tij në Tetovë.
Nga koha e tij në Gjermani, ai evokon shumë kujtime interesante, duke veçuar disa prej tyre.

“Kam shumë por do të veçoj dy prej tyre, një te Hertha BSC dhe tjetra te Union Berlin. Kur pata debutuar në Berlin për Hertha-n u inkuadrova në pjesën e dytë të lojës ndaj FC Saarbrücken. Rezultati ishte 1-1. Unë e dhash golin e fitores për 2-1. Dhe, në mbrëmje, në emisionin sportiv, komentatori tha s’e ku e ka fshehur Hertha këtë talent me një shpejtësi të veçantë. Momenti i dytë ishte me FC Union Berlin kundër Schalkes, në finalen e kupës së Gjermanisë, 26 maj 2001. humbëm 0-2.

Pas ndeshjes mora medaljen nga ish-kancelari gjerman, Gerhard Schröder, të cilit i thash se si shqiptar ndihem krenar që po marrë medalje nga ju, ndërsa ma ktheu se edhe ai ndihet i nderuar që shqiptarit ia jep këtë medalje të veçantë”.