Hasani: Spitalet kanë kapacitete për trajtimin e pacientëve

Advertisment

Fillimi i tetorit shënon dhe ftohjen e kohës dhe paraqitjen e gripave të ndryshëm sezonal. Gripat sezonal rrezikojnë shpesh herë sistemin shëndetësor të një vendi dhe janë vështirë të menaxhueshëm nga vendet me sistem të brishtë shëndetësor, ashtu siç është Maqedonia e Veriut. Por, kur gripit sezonal i shtohet dhe ballafaqimi me pandeminë e virusit korona, atëherë sfida për ta ruajtur sistemin shëndetësor që të mos shkoj deri në kolaps bëhet më e vështirë. Në anën tjetër, situata me virusin korona është duke u përkeqësuar çdo ditë e më shumë dhe rastet e reja të të infektuarve po rriten vazhdimisht. Sipas eksperteve mjekësor, njëra ndër arsyeje kryesore për rritjen e numrit të të infektuarve është mos respektimi i masave preventive kundër COVID-19. Sipas tyre, këtu hynë darkat e përbashkëta familjare, ahengje të ndryshme, mbrëmje muzikore, të cilat janë të ndaluara me ligj, por fatkeqësisht nuk po respektohen nga qytetarët.

Zëvendësministri i shëndetësisë, Ilir Hasani, për gazetën KOHA, ka deklaruar se për momentin spitalet kanë kapacitete të mjaftueshme për pranimin e pacientëve të rinj të prekur nga virusi korona apo gripi sezonal. “Nëse në hapësirat e spitaleve tona nuk ka kapacitete, kemi edhe plane alternative për t’ju shërbyer pacienteve, ku gjithashtu kemi në dispozicion të pacienteve spitalet mobile”, është shprehur Hasani.

Reklame

Sipas tij, pritjet e tyre janë që në të ardhmen të kemi rritje të numrit të të infektuarve, veçanërisht nëse sipas protokolleve vendosen të hapen shkollat, por nëse rritja e numrave të të infektuarve shkon me këtë ritëm, atëherë qytetarët mund të ndjehen të sigurt se nuk do të ketë eskalim të situatës shëndetësore.

VMRO-DPMNE opozitare ka reaguar për gjendjen e virusit korona në vend. Sipas tyre, numrat e përditshëm tre shifror të të sëmurëve nga virusi korona janë dëshmi se ministri Filipçe nuk kujdeset për shëndetin e qytetarëve. “Derisa Filipçe ndërton ndërtesa nëpër Shkup, qytetarët e sëmurë me virusin korona po vdesin. Numri prej më shumë se 700 të vdekur është një alarm serioz se në vend nuk funksionin aspak sistemi shëndetësor. Në vend që Qeveria të kërkojë përgjegjësi nga ministri, ajo e shpërblen me tenderë të dyshimtë”, deklarohen nga VMRO-DPMNE.

Në anën tjetër, kreu i Shëndetësisë, Venko Filipçe, ka thënë se në të ardhmen mund ti parandalojmë të gjitha ngjarjet ku grumbullohen qytetarët me qëllim të mos e lejojmë të shpërndahet virusi korona në mënyrë të pa kontrolluar dhe të krijojmë vatra të shumta të COVID-19. Ndryshe, virusi korona është më i pranishëm te popullata e aftë për punë, ndërsa numri më i madh i të infektuarve janë mbi moshën 60 vjeçare.

Ndërkohë, numri i përgjithshëm i të diagnostifikuarve me virusin korona në vendin tonë nga fillimi i pandemisë arrin 13.343, ndërkohë që numri i të shëruarve ka arritur 14.4422, ndërsa 721 pacientë e kanë humbur betejën me virusin korona. Për momentin, numri i rasteve aktive në vendin tonë është 2.200. Ndërkohë, numrin më të madh të pacienteve vazhdon ta mbaj Shkupi, duke u pasuar nga Kumanova, Tetova dhe Prilepi.