Heronjtë e heshtur, çifti shqiptarë i Infektivit 40 ditë larg fëmijëve

Mjekët dhe infermierët e Spitalit Infektiv prej javës po përballen me atë që cilësohet vija e parë e betejës ndaj coronavirus. Në mesin e tyre, janë dhe Nevila e Arbër Gjermeni. Çifti për shkak të kontaktit të vazhdueshëm me të infektuar, qëndrojnë larg fëmijëve prej 40 ditë, larg djalit 10 vjeç dhe vajzës vetëm 14 muajshe, transmeton EN.

“Prej 40 ditësh dr. Nevila dhe dr. Arbër Gjermeni i janë dedikuar me mish e me shpirt punës me pacientët e prekur nga COVID-19 në Spitalin Infektiv. Ata kanë plot 40 ditë që janë larg fëmijëve të tyre, djalit 10-vjeçar dhe vogëlushes vetëm 14 muajshe, ndërsa kujdesen me përkushtim, çdo ditë, për shërimin e pacientëve që po përballen me virusin e rrezikshëm”, rrëfen ministrja e Shëndetësisë, Ogerta Manastriliu.

Infeksionistja, Nevila Gjermeni është një nga mjeket e para që u përfshi në ekipin mjekësor për kurimin e pacientit zero me coronavirus. Kurse, bashkëshorti i saj, Arbër Gjermeni, anestezist–reanimator në një spital privat, iu bashkuar ekipit të mjekëve të Infektivit pasi doli vullnetar pas thirrjes së qeverisë. Për shkak të angazhimit me të prekurit nga COVID-19, çifti po humb disa nga momentet më të veçanta si prind. Vajza e tyre e vogël sapo ka nisur të hedhë hapat e para.