Heshtje në Aleancë dhe Alternativë! Çfarë po ndodh me koalicionin opozitar shqiptar?

Heshtje në partinë Alternativa, rreth qëndrimit të tyre ndaj partnerit të koalicionit Aleanca për Shqiptarët, pas paralajmërimeve të këtyre të fundit se mund të mbështesin Bilall Kasamin e Besës në raundin e dytë të zgjedhjeve në Tetovë!

TV21 gjatë ditës disa herë u përpoq nga zyrtarë të ndryshëm të Alternativës që të marrë një qëndrim, por pa sukses! E vetmja përgjigje ishte me shkrim nga zëdhënësi, Orhan Murtezani, i cili thotë se ende nuk kanë diskutuar asgjë.

“Ende nuk është diskutuar në organet e partisë kjo çështje. Kur të kemi qëndrim do e bëjmë të ditur”.

TV21 nga burime të tij mëson gjithashtu se edhe vetë brenda Alternativës ka qëndrime të ndryshme sa i përket mbështetjes ose jo të Bilall Kasamit në Tetovë, kryetar i Besës, parti që dikur e përbënin edhe pjesëtarë të Alternativës, që më pas dolën si fraksion.

Të gatshëm për të folur sot para kamerës nuk ishin as nga Aleanca për Shqiptarët. Çështjet që shtrohen është se çfarë do të ndodhë me koalicionin mes tyre dhe Alternativës, nëse partia e Selës merr vendim për mbështetjen e Kasamit. Kjo për më tepër kur dje në Gostivar drekuan Sekretarët Gjeneral të dy Partive, Aleancës dhe Besës, Arben Taravari dhe Arianit Hoxha, por që pas takimit nuk thanë diçka konkretisht rreth bashkëpunimit të mundshëm.

“Patëm një takim miqësor, biseduam në përgjithësi për situatën e zgjedhjeve çështjen e koalicioneve e vendosin organet e partisë. Ne kemi pasur komunikim edhe para zgjedhjeve”, tha Hoxha.

“Arianiti rastësisht kaloi në Gostivar, pimë kafe, hëngrëm nga një drek dhe aq”, tha Taravari.

Krejt këto zhvillime vijnë tre ditë pas zgjedhjeve lokale në të cilat Aleanca për Shqiptarët dhe Alternativa kishin kandidatë të përbashkët për komunat, mes të cilave edhe në Tetovë, ku kandidati i tyre Vullnet Murseli nuk arriti të kalojë në raundin e dytë. Më 31 tetor këtu do të përballen kandidati, njëherazi edhe kryetar i Besës, Bilall Kasami dhe kandidatja e BDI-së Teuta Arifi, e cila nga rezultati i rrethit të parë ka epërsi prej 642 votash. E deri sa Alternativa këmbëngul se nuk kërkon mbështetje për Kasamin, mbetet të sqarohet edhe nëse nga kjo parti do të heshtin në rrethin e dytë, ose-ose mund të kërkojnë nga elektorati i saj që të votojnë Teuta Arifin?!