Hoti dhe Vuçiqi hapin çështjen e asociacionit, financave dhe pronave

Advertisment

Në Bruksel ka vazhduar dialogu mes Kosovës dhe Serbisë me hapjen e temave të reja. Në rend dite janë asociacioni i komunave me shumicë serbe, çështjet financiare dhe ato të pronësisë.

Shefi i diplomacisë evropiane Josep Borrel theksoi se presidenti i Serbisë Aleksandar Vuçiq dhe kryeministri i Kosovës Avdullah Hoti janë zotuar në Bruksel se do të dyfishojnë përpjekjet për afrimin e vendeve të tyre me Bashkimin Evropian dhe për normalizimin gjithëpërfshirës të marrëdhënieve mes këtyre dy vendeve – duke trajtuar të gjitha çështjet e pazgjidhura.

Reklame

Ekipet e ekspertëve kanë punuar në fundjavë me përkushtin dhe respekt serioz në tratjimin e temave, siç janë të pagjeturit, të zhvendosurit dhe bashkëpunimi ekonomik. Ndërsa në takim (e hënë 07.09.2020), kryeministri Hoti dhe presidenti Vuçiq, me ndërmjetësimin e përfaqësuesit të BE, Miroslav Lajçak, kanë hapur edhe disa tema shumë të rëndësishme: Të drejtat e komuniteteve jo shumicë, kërkesat e ndërsjellta financiare dhe ato mbi pronësinë.

“Të dy temat janë shumë të ndjeshme dhe shumë të rëndësishme për marrëdhëniet e ardhshme ndërmjet Kosovës dhe Serbisë dhe për jetën e njerëzve në këto vende”, u shpreh Borrel.

Përafrimi i qëndrimeve për disa çështje

Belgien | Dialog Kosovo in Brüssel (DW/A. Bajrami)
Hoti dhe Vuçiqi bën të ditur se janë përafruar qëndrimet për çështjen e të pagjeturve, të zhvendosurve dhe për bashkëpunimin ekonomik. Përafrimin e qëndrimeve mes palëve për këto çështje e ka konfirmuar edhe kryeministri i Kosovës Avdullah Hoti, i cili pas takimit tha se sot janë hapur edhe disa tema mjaft të rëndësishme. Hoti tha se në takimet në vijim, Kosova do të hapë edhe çështjen e kërkesave financiare ndaj Serbisë si dhe çështjen e dëmeve të luftës. Ndërsa çështja e asociacionit të komunave me shumicë serbe ësthë një çështje e cila duhet të zgjidhet në kuadër të Kushtetutës së Kosovës dhe ligjeve të saj.

Negociatat për asociacionin e komunave me shumicë serbe do të vazhdojnë me 17 shtator, në nivelin e shefave të ekipave negociatore. Ndërsa takimi i radhës në nivelin e lartë do të mbahet me 28 shtator:

Vuçiq: Në rend dite janë temët më të komplikuara

Presidenti i Serbisë Aleksandar Vuçiq tha se sot janë hapur disa nga çështjet më të komplikuara në dialog: Asociacioni i komunave me shumicë serbe dhe kërkesat financiare të palëve. “Janë tema shumë të komplikuara, shumë të rënda, por s’kemi çfarë të bëjmë”, tha Vuçiq.

Belgien | Dialog Kosovo in Brüssel (EEAS)
Ai bëri të ditur se gjatë ditës ka pasur dy takime me Hotin dhe përfaqësuesin e Kosovës për dialogun Skender Hyseni, duke shtuar se takimet të tilla nuk janë “kurrë të lehta dhe të thejshta për Beogradin”.

Presidenti i Serbisë tha se palët kanë rënë dakord për çështjen e të pagjeturve dhe të zhvendosurve si dhe çështjet ekonomike. “Më i rëndësishmi për ne është qarkullimi i lirë i mallrave, i kapitalit dhe shërbimeve. Kjo është tmerrësisht e rëndësishme”, tha Vuçiq, duke shtuar se “kjo do të ndihmojë zhvillimin e tërë rajonit”. Vuçiqi rikujtoi se me marrëveshjen e nënshkruar në Uashington, Kosova ka pranuar të bëhet pjesë e mini-Shengenit.

Çështja e Kosovës në parlamentin e Serbisë

Presidenti i Serbisë Vuçiq bëri të ditur se menjëherë pas krijimit të qeverisë së re do të mbahet një seancë e parlamentit të Serbisë kur do të bisedohet për Kosovën. Në parlament do të raportohet për negociatat e deritanishme dhe gjërat që janë bërë deri tani. Vuçiqi tha se nuk është i pakënaqur me ato që janë bërë sot, sepse marrëveshje të tilla ndihmojnë zhvillimin ekonomik të Ballkanit Perëndimor. Ndërkohë që çdo lloj ndihme për Serbinë është e mirseradhur.