Hoti pas takimit me Vuçiqin: Kishte progres rreth njohjes reciproke

Advertisment

Kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti, pas takimit në Bruksel, ka thënë se ka pasur progres për sa i përket zhvillimit ekonomik dhe çështjeve të tjera të lëna pezull siç janë njohja reciproke dhe normalizimi i marrëdhënieve mes dy vendeve.

Hoti listoi dy çështjet që janë diskutuar mes dy shteteve, përkatësisht çështja e të pagjeturve dhe zhvillimi ekonomik. Ai e cilësoi këtë takim si të vështirë, ndërsa shtoi se kjo do jetë faza përmbyllëse e çështjeve që janë të hapura në raport me Serbinë.

Reklame

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq tha se bisedimet me kryeministrin e Kosovës, Avdullah Hotin nuk kanë qenë aspak të lehta. Presidenti serb u shpreh se temat që janë diskutuar ka qenë ajo e të zhdukurve gjatë luftës dhe çështjet ekonomike.

“Bisedimet për të zhdukurit dhe të zhvendosurit do të vazhdojnë të mërkurën tjetër në nivelin teknik”, tha ai.

Ai ka zbuluar edhe kërkesën direkte që ka shtruar në tryezën e takimit pala kosovare, e cila ka kërkuar hapjen e arkivave të policisë së Serbisë. Më tej kreu i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, shtoi se vetë ai ka kërkuar që edhe Kosova duhet të hapë arkivat e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

“Ne jemi të gatshëm t’i përgjigjemi çdo kërkese të shqiptarëve. Kudo që ata mendojnë se mund të tregojnë në hartë një vend ku atyre u duket, ose ku mendojnë se është e mundur që të ketë ndonjë varrezë me shqiptarë, ne jemi të gatshëm së bashku me ta dhe me praninë e evropianëve të tregojmë nëse ka diçka apo jo. Por, ne kërkuam të njëjtën të drejtë për ne”, u shpreh Vuçiq.

Presidenti i Këshillit Evropian, Charles Michel ka mirëpritur rinisjen e dialogut Beograd-Prishtinë dhe “angazhimin e treguar nga të dyja palët”.