Hoxha nga Poroj: Që nga viti 2006 nuk respektoj vendimet e Molla Sulës (VIDEO)

Advertisment

Vendimi për faljen e namazit të Fitër Bajramit nuk është respektuar nga dy imamë të xhamive në Tetovë. Dyert e xhamive të fshatit Poroj dhe Glloxhë këtë mëngjes ishin të mbyllura. Imami i xhamisë së fshatit Poroj Maksut Abazi thotë se këtë vendim e ka marrë për sigurinë e qytetarëve duke e marr parasysh situatën me Covid-19 dhe mendimin e ekspertëve.

“Duke parë se çfarë ndodh në Botë, duke parë rrezikun nga ky virus vdekjeprurës dhe duke parë parasysh shtetet si Arabia Saudite që është Meka, qendra ku besimtarët për çdo lutje drejtohen nga ajo pesë herë në ditë është e mbyllur në shtetrrethim me orë policore, Turqia andej, nuk mbetet arsye që ne ti hapim xhamitë. Këto vendime që merren janë ekspertët jo ne hoxhallarët”, tha Maksut Abazi, imam i xhamisë së Porojit.

Reklame

Maksuti shkoi edhe më tej duke thënë se ai asnjëherë nuk është pajtuar me vendimet e Reis Ulemasë Sulejman Rexhepi që nga viti 2006 kur është zgjedhur ai në krye të BFI-së , duke thënë se edhe paratë e besimtarëve i ka investuar në xhami dhe fshat.

“Unë mendoj se Bashkësia Fetare si institucion me dekada sidomos dekadën e fundit nuk ka mbrojtur interesin e besimtarëve se kjo luftë nuk është tash është disa dekada andej vendosëm që më të jetë fundi dhe njëherë e përgjithmonë të ndahen dhe dallohen shallëbardhit nga fytyrizinjtë. Unë të hollat me fitra që nga viti 2000 që kanë ardhur si imam i kamë mbajtur këtu i kamë shfrytëzuar për mirëmbajtjen e xhamisë dhe jashtë oborrit të xhamisë kamë punuar me gjelbërime me zbukurime të trotuareve nga vetë fondi i qytetarëve “, tha Maksut Abazi, imam i xhamisë së Porojit.

Megjithatë të gjitha xhamitë e tjera në Tetovë dhe rrethinë kanë falur namazin e Fitër Bajramit. Imami i xhamisë së Larme në Tetovë tha se besimtarët kanë qenë të njoftuar me kushtet që duhet t’i përmbushnin për të kryer ritet fetare në xhami.