Hulmtim i Institutit NDI: Nëse zgjedhjet mbaheshin sot, do të fitonte koalicioni LSDM – BESA

Koalicioni LSDM-BESA del fitues i zgjedhjeve në hulumtimin më të ri të realizuar nga Instituti amerikan NDI që është shpallur në faqen e tyre zyrtare. Ky koalicion bashkërisht ka për 5 pikë rejting më të lartë se koalicioni i drejtuar nga VMRO-DPMNE. Edhe ndaras, si parti e vetme, LSDM është në epërsi me gjithsej 22.9 pikë para partisë opozitare maqedonase e cila ka 19.6 pikë në pyetjen “Nëse do të mbaheshin zgjedhjet sot, për cilën parti do të votonit?

Në kampin e partive shqiptare, BDI është në epërsi të ngushtë ndaj koalicionit Aleanca-Alternativa në vlerësimin total në këtë pyetje. Partia e Ahmetit në këtë pyetje ka fituar 7.2 pikë, ndërsa Aleanca për Shqiptarët dhe Alternativa 5.8%. Në hulumtim janë përfshirë gjithsej 1212 të anketuar dhe është realizuar në periudhën 26.02.2020-05.03.2020.

Por në pyetjet më të detajuara nëse qytetarët kanë vlerësim favorizues ose deri diku favorizues përgjigjet janë të ndryshme.

Në pyetjen “A keni mendim shumë favorizues , deri diku favorizues, deridiku jo favorizues dhe shumë jo favorizues për secilën nga partitë politike”, 41% e të anketuarve kanë dhënë mendim pozitiv për LSDM, ndërsa mendim pozitiv për VMRO-DPMNE-në kanë dhënë vetëm 28%. Në kapmin politik shqiptar, mendim pozitiv për koalicionin Aleanca për Shqiptarët-Alternativa kanë dhënë 17% e qytetarëve, ndërsa për BDI-në 16% kanë mendim pozitiv. Po aq në total është edhe mendimi pozitiv që të anketuarit kanë dhënë për Lëvizjen Besa.

Ndarë sipas përkatësisë etnike të të anketuarve, gati gjysma e të anketuarve shqiptarë dhe gjysma e të anketuarve nga bashkësitë e tjera etnike kanë mendim pozitiv për LSDM-në, gjeqësisht 49% dhe 52%.

Në kampin e partive shqiptare, mendim më të lartë pozitiv ka koalicioni Aleanca për Shqiptarët dhe Alternativa, për të cilët mendim favorizues kanë dhënë 45% e të anketuarve shqiptar, ndërsa mendim të tillë për BDI-në kanë dhënë 37% e të anketuarve shqiptar. Për Lëvizjen Besa mendim favorizues kanë dhënë 30% e të anketuarve shqiptar, ndërsa karakteristike është se kjo parti në anketën e fundit të NDI ka nivel më të lartë të mendimit pozitiv te bashkësitë e tjera etnike për dallim nga subjektet e tjera shqiptare.

Në pyetjen kushtuar liderëve partiak poashtu prijnë liderët e dy partive kryesuese, kryetari i LSDM-së Zoran Zaev dhe ai i Aleancës për Shqiptarët, Ziadin Sela, në kampin e partive shqiptare.

Në pyetjen “Na thoni a keni mendim shumë favorizues, deri diku favorizues, deri diku jo favorizues apo shumë jo favorizues për secilin nga politikanët”, për ish kryeministrin Zoran Zaev mendim pozitiv në total kanë dhënë 44% e të anketuarve, ndërsa për liderin e opozitës maqedonase, Hristijan Mickoski, vetëm 25%. Në kampin e partive shqiptare, 17% e të anketuarve në mbarë vendin kanë dhënë mendim favorizues për Ziadin Selën, 16% mendim favorizues për Ali Ahmetin, 15% kanë mendim favorizues për Bilall Kasamin dhe 11% mendim favorizues për Afrim Gashin.