Ibrahimi: Kështu e binda shqiptarin të linte Kroacinë për Maqedoninë (Foto)

Ish-lojtari i kombëtares së Maqedonisë, Agim Ibraimi, kapiten i Kukësit në sezonin që u mbyll, tregoi në mediat maqedonase se si e bindi Arijan Ademin të luante për ekipin kombëtar të Maqedonisë së Veriut. Futbollisti në fjalë është titullar i Dinamos së Zagrebit, ku ka luajtur 191 ndeshje deri tani.

Ai kishte përfaqësuar kombëtaret e Kroacisë deri te U-21. Ibraimi thotë se ishte e vështirë, sepse Ademi hezitonte, ngaqë Maqedonia në atë kohë nuk ishte as në 100 ekipet më të mira të renditjes së FIFA-s:

Reklame

“Ishte e vështirë në fillim. Ne dëshironim që ai të ishte pjesë e ekipit kombëtar të Maqedonisë. Unë dhe babai im e bindëm të vinte, sepse e dinim se ai mund të na ndihmonte shumë. Tani e shohin të gjithë se kishim të drejtë.

Ai nuk dëshironte, gjë që është normale, sepse ne ishim kombëtarja e 110-të në renditjen e FIFA-s, por hap pas hapi arritëm ta bindim.

Ademi tani është një lojtar kryesor në ekipin kombëtar. Ne jemi shumë, shumë më të fortë dhe më të mirë me të”.