Ibraimi: Gjendje e stabilizuar me “Kovid-19” në Komunën Qendër Zhupë

Kryetari i Komunës Qendër Zhupë, Arijan Ibraim, vlerëson se gjendja me koronavirusin është stabilizuar.

“Me përjashtim të dy rasteve të para të bashkëshortëve të infektuar, deri tani nuk ka asnjë rast tjetër të infektuar ose të dyshuar. Në izolim shtëpiak janë dhjetëra qytetarë që kanë mbërritur nga Gjermania, por asnjëri prej tyre nuk ka simptoma tipike për ‘Kovid-19’. Pas disa ditësh, izolimi shtëpiak për ta mbaron. Shpresoj që gjithçka të shkojë mirë”, deklaroi kryetari i Komunës, Ibraimi për MIA-n.

Kjo, sipas tij, është rezultat i ndërgjegjes së bashkëqytetarëve të tij, të cilët kanë ndjekur me përpikëri masat dhe rekomandimet e Qeverisë dhe Ministrisë së Shëndetësisë, të cilat mund të konstatohen nga rrugët e zbrazëta në të gjitha vendbanimet.

Ai informoi se autoritetet lokale dhe përfaqësuesit e organizatës qytetare “Koxhaturk” do të fillojnë shpërndarjen e ndihmave humanitare për bashkëqytetarë e tyre, të dhuruara nga vëllezërit Denis dhe Asmir Xhemoski, të cilët jetojnë në SHBA.

“Bëhet fjalë për donacion prej 5.000 dollarësh për blerjen e artikujve ushqimorë dhe mjeteve për mirëmbajtjen higjienike. Do të mbulohen 120 familje që gjenden në gjendje më të pafavorshme socio-ekonomike dhe së paku 60 prej tyre do të marrin nga 25 kilogramë miell”, tha Ibraimi.

Paraprakisht, shtoi ai, ndihma humanitare u shpërnda në 300 amvisëri dhe u dhurua nga EEM.

“Shpreh falënderim të madh deri tek drejtori i Përgjithshëm i EEM-s, Vasko Kovaçevski dhe kompania, për solidaritetin e treguar me banorët e komunës sonë, për të cilët kjo mbështetje do të thotë shumë. Faleminderit edhe bashkëqytetarëve tanë, Xhemovski për ndihmën”, tha Ibraimi.