Ikja e rinisë nga Maqedonia, askush nuk pret se do bëhet mirë!

Advertisment

Të punojnë për 350-400 euro apo për 2000 deri 3000 euro, të presim që nesër të bëhet më mirë apo që sot të jetojmë larg vendlindjes me paga më të larta. Këto janë dilemat që shtyjnë të rinjtë profesionistë të marrin rrugën e kurbetit. Analizat e ndryshme tregojnë se ikja e popullatës jashtë shtetit, nuk është e kufizuar vetëm për punëtorët e rinj në fabrika dhe shërbime.

Sipas të dhënave të Odës së Mjekëve, nga 220 studentë që përfundojnë Fakultetin e Mjekësisë në Shkup, 173 mjekë të rinj kërkojnë punë jashtë shtetit, dhe atë sidomos Gjermani, e cila e edhe vetë përballet me mungesën mjekëve. Mjekët po ikin të pakënaqur jo vetëm nga niveli i pagave, por edhe nga kushtet e punës.

Reklame

Njëherazi, pjesa më e madhe e studentëve të Teknologjisë Informatike punojnë në vitet e para të studimeve apo gjejnë punë tre muaj pas diplomimit. Vërehet edhe trendi i ikjes së inxhinierëve të IT-së nga firmat që punojnë në vend jashtë kufijve të shtetit, si dhe ikja pas disa viteve edhe e programuesve të rinj që, pas disa vite pune në sektorin vendor të teknologjisë informatike, jo vetëm mendojnë, por edhe ikin jashtë shtetit të joshur me paga për disa herë më të larta se ato në shtet.

TË PUNËSH PËR 750 EURO APO 5000!

Sipas profesorit universitar Neritan Turkeshi, emigracioni i qytetarëve apo “ikja e të rinjve” vazhdon si trend dhe nuk ka të ndalur. Ai thotë se po ikin të gjithë, por duhet të na shqetësojë fakti i “ikjes së trurit” – mjekëve, inxhinierëve të fushave të ndryshme dhe shumë profesione të tjera si deficitare ashtu edhe ato suficitare… “Mund të themi se ikja e trurit ndodh kryesisht për shkak të krizës ekonomike, por këtu nuk duhen lënë anash edhe aspektin politik dhe jostabilitetin politik. Një problem madhor është edhe pamundësia e qeverive të njëpasnjëshme që të krijojnë vende pune për të absorbuar në ekonomi persona të diplomuar dhe meritor”, shton ai.

Në Maqedoninë e Veriut, thotë ai, për shembull pagat e programuesve sipas të dhënave zyrtare statistikore, janë 1000 euro, ndërsa ndërsa në Gjermani ato marrin sipas të dhënave statistikore paga që arrijnë së paku 5000 euro në muaj. “Nga ana tjetër, pagat e mjekëve në Gjermani lëvizin prej 3000 deri 4000 euro në raport me pagat prej pagën themelore prej 750 euro të një mjeku specialist sa është aktualisht, dhe që me rritjen prej 12 mijë denarë në muajin shkurt, akoma nuk arrin as 1000 euro sa janë pagat e gjykatësve dhe prokurorëve. Andaj edhe ikin profesionistët e lëmive të ndryshme”, shton Turkeshi. Sipas tij, aspekt tjetër që duhet përmendur është edhe “mos funksionimi i sistemit”, ku studentët në komunikimin e përditshëm ankohen se gati për gjithçka, qoftë edhe për një vërtetim të thjeshtë, ju duhet një mik.

Nga organizata “Rrjeti i Ikjes së Trurit” thonë se hulumtimet e tyre tregojnë se të rinjtë ikin jashtë dhe marrin biletën në një drejtim edhe për shkak të dëshpërimit dhe frustracionit me situatën politike në shtet. Ilija Stankovski nga kjo organizatë thotë se në përqindjen e lartë prej më shumë se 500 mijë të të shpërngulurve, kontribuojnë edhe faktorët si vendet jostabile të punës, disbalansi midis kërkesës dhe ofertës në tregun e punës, fenomeni i punësimeve partiake, diskriminimi në baza të ndryshme gjatë punësimit, niveli i ulët i mbrojtjes dhe garancës të të drejtave të punëtorëve, e që ka të bëjë sidomos me të rinjtë. “Duhet theksuar se të rinjtë nuk ikin vetëm për t’u punësuar dhe për të gjetur një vend më të mirë të punës. Këtë e dëshmojnë edhe hulumtimet e fundit, sipas së cilave, një e treta e të anketuarve ikin për të kërkuar një jetesë më të mirë, apo një cilësi më të mirë të jetesës. Kjo do të thotë edhe standard më të mirë jetësor, ambient jetësor, gjendje politike, mbrojtje shëndetësore etj”, shton ai. Në dhjetë vitet e fundit, në vazhdimësi anketat dhe hulumtimet e ndryshme kanë treguar se më shumë se gjysma e të rinjve dëshirojnë të ikin jashtë, ndërsa një pjesë e madhe bile as që mendojnë ndonjëherë të kthehen në vendlindje. Mungesa e perspektivës, paqartësia politike dhe partizimi i thellë renditen ndër faktorët kryesor në studimin e Fondacionit “Fridrih Ebert” të botuar kohë më parë, që i shtyjnë të rinjtë të mos planifikojnë të mbesin në vend.

“Është dëshpëruese që të rinjtë nuk kanë entuziazëm dhe humbin vullnetin të mbesin në vend. Është brengosëse që bile 67 për qind e të anketuarve ankohen për probleme financiare dhe nuk besojnë se pas diplomimit – do të gjejnë punë. Të rinjtë theksojnë se ndër faktorët kryesor që të gjejnë një vend pune janë lidhjet miqësore dhe politike, të pasuara nga profesionalizmi dhe arsimimi”, thotë një nga autoret e hulumtimit, Marija Topuzova.
Në ndërkohë, Turkeshi thotë se një ikje kaq e madhe e popullatës së arsimuar është shqetësuese për zhvillimin ekonomik, social, shoqëror, kulturor etj të vendit. “Nuk dua të flas për lidhjen në mes demografisë dhe zhvillimit dhe teorisë që thotë se, sa më shumë njerëz ka një vend, aq më lehtë e ka të zhvillohet, sepse numri më i madh i popullsisë garanton treg më të madh si dhe më shumë kreativitet. Pra ne duhet të bëjmë gjithçka që të mbajmë të rinjtë këtu, duke përdorur dhe duke ofruar projekte të llojllojshme, por mbi të gjitha do thosha se kryesorja mbetet rritja e pagave, për shkak se tani kanë ndryshuar kohët. Tani nevojiten më shumë para për një familje, sepse rriten kërkesat e ndryshme, fëmijët kërkojnë kushte më të mira të jetesës, ndërsa nga ana tjetër – kemi trende të rënies së martesave.

Andaj nevojitet të ofrohen pako më atraktive për të rinjtë për punësim dhe sigurimin e një kulmi mbi kokë, e jo që një i diplomuar të pres me vite për një vend punë apo edhe për një avancim”, vlerëson Turkeshi. Sipas tij, kapitali njerëzor është një nga faktorët kyç për zhvillimin e vendit. Sa më shumë doktorë kemi, aq më e shëndetshme është popullsia, sa më shumë persona me përgatitje të lartë akademike kemi – aq më cilësor do të jetë arsimimi i gjeneratave të reja dhe, sa më shumë inxhinierë kemi – aq më e zhvilluar do të jetë prodhimtaria dhe ekonomia.

“Nëse qind për qind është rritur interesi i të rinjve dhe i studentëve për të mësuar gjuhën gjermane që synojnë të ikin për jetesë dhe punës në Gjermani, mendoj se shumë shpejt Maqedonia do të përballet edhe mungesën e stafit mjekësor, si dhe disa profesioneve tjera. Andaj ikja e trurit kërkon një angazhim më të madh si nga pushteti, por edhe një presion më të madh si nga opozita, shoqëria civile, universitetet… që të ofrojmë zgjidhje për këtë çështje”, përfundon Turkeshi.

BALLKANI PO ZBRAZET

Në ndërkohë, raporti i fundit i Bankës Botërore i titulluar “Migrimet dhe ikja e trurit në Evropë dhe Azinë qendrore”, tregon se një e katërta e popullatës së Maqedonisë jeton jashtë saj, ndërsa 49.5 për qind e popullatës së Bosnje e Hercegovinës kanë ikur tashmë. Shqipëria me 39.8 për qind ka gjithashtu një numër të madh të popullatës së lindur në Shqipëri, por që jeton jashtë saj. Kroacinë e kanë lëshuar afër 22 për qind e popullatës, dhe me një të pestat e mërgimtarëve ka shifrat më të larta të migrimit në Bashkimin Evropian. Edhe Mali i Zi me një të pestën e popullatës apo afër 100 mijë njerëz po tregon shifra të larta të ikjes jashtë të banorëve të saj. Banka Botërore nuk ka ofruar të dhëna për Kosovën dhe Serbinë lidhur me ikjen e popullatës.

Analizat tregojnë se faktorë të ndryshëm ndikojnë në ikjen e trurit nga shtete e Evropës Lindore dhe Juglindore drejt BE-së si të ardhurat më të larta, mundësitë për aftësim dhe përsosje profesionale, ardhmëria më e ndritur për anëtarët e familjes si mundësitë më të mira për shkollimin e fëmijëve, si dhe kushtet më të mira të punës dhe jetesës. Njëherazi afërsia dhe parapëlqimi ndaj tregut evropian të punës, si dhe lidhjet e shumta familjare dhe shoqërore po lehtësojnë dhe po ulin koston e mërgimit për Ballkanin Perëndimor, tregon raporti i Bankës Botërore.

“Mërgimi afatgjatë i punëtorëve me kualifikime të lartë po lë pasoja afatgjate negative në shtetet prej nga po ikin të rinjtë. Ikja e trurit shpesh është simptomë dhe jo pasojë e ekonomisë së keqe të shtetit”, theksohet në raport. Ballkani Perëndimor, vazhdon më tej raporti, sidomos është “eksportues i resurseve njerëzore”, në fushën e punëtorëve shëndetësore që po mungojnë në shumë shtete të BE-së.

“Përqindja e emigrantëve është rritur vrullshëm gjatë katër dekadave të fundit, ku një në çdo tre emigrantë në botë tashmë largohet në një vend pritës evropian. Për të ruajtur krahun e kualifikuar të punës, duhet të promovohet sektori privat dhe të përshpejtohet krijimi i vendeve të punës, të investohet në arsimin e lartë dhe rritjen e mundësive për gratë në ekonomi. Lidhjet më të mira si infrastruktura dhe telekomunikimi gjithashtu paraqesin aspekt të rëndësishëm të rritjes së angazhimit me diasporën, meqë emigrantët që ruajnë lidhjet kanë më shumë të ngjarë të investojnë dhe të kthehen”, sugjeron Raporti. (koha.mk)