Imazhe të humbura nga ura e kazazëve..!

Ismail Arsllani

Kjo është Ura e Kazazëve, njëra prej katër sosh të njohura si “Ura Osmane” në Tetovë, e cila nga viti 1961, kur u hapën paralelet e Shkollës së Mjekësisë, u quajt edhe “Ura e Medicinës”. Nga kjo urë, pas 25 nëntorit të vitit 1979, asnjë këmbë njeriu s’ka kaluar…! Pasi u qetësuan vërshimet katastrofale, ajo u hodh në ajër me dinamit dhe mori me vete të gjitha kujtimet e tetovarëve.

Reklame

Një ditë dimri të ftohtë, 13 vjet para zhdukjes nga faqja e dheut të kësaj ure, kur kam qëndruar kaq stoik mbi këtë urë, në vitin kur perëndoi periudha rankoviqiane e shtypjes gjenocidale të shqiptarëve në ish-Jugosllavi, për t’u zëvendësuar me një tjetër, as që kam pandehur se kjo foto do të jetë e papërsëritshme.

Jo vetëm ura, edhe ato imazhe pas meje janë zhdukur ndër vite. Kanë mbetur vetëm kujtimet. Si fëmijë rrëshqitnim te ura, me saja dhe me ski-çelikë të mbërthyer në këmbë. Nëpër këtë urë kalonin ditë për dite qindra fëmijë, prej njërës anë të lumit, në tjetrën, për të nxënë mësime e dituri. S’mund të imagjinohet se çfarë ëndrrash fëmijërore janë bartur mbi këtë urë…?

Aty, muajve të verës, vlonte si në zgjua bletësh prej fëmijëve që rreziteshin të shtrirë në pluhur apo në betonin mbrojtës të shtratit dhe hidheshin nga ura në ujërat e freskët të lumit Shkumbin, që kishin një ngjyrë tepër joshëse të gjelbër të errët nga thellësia deri në dy metra, të arritur me barriera të vendosura me gur, të njohura si “çatma”. Më të guximshmit hidheshin me stil nga një shtyllë betoni skaj urës, të lartë pesë metra, pranë ëmbëltores së njohur me akullore të xha Xhabirit. Vetëm dhjetë metra bri urës ishte (dhe është) godina, ku dolën në fillimvitet e ’50-ta maturantët e parë shqiptarë të Gjimnazit të Tetovës. Po aty, brezi i parë i normalistëve ka mbajtur orët e para të praktikës së mësimdhënies, drejtuar nga prof. Mujdin Hadri. Ky objekt, bri urës, sot është Arkiv Historik, dhe mirë që është i tillë, që t’i ruajë kujtimet e të së kaluarës.

Mbi këtë urë kanë kaluar edhe demonstrantët tetovarë më 23 dhjetor të vitit 1968 dhe pikërisht kjo urë i ka shpëtuar shumë sish gjatë arratisjes së tyre nga hordhitë e atëhershme. Kjo urë ishte e vjetër, mjaftueshëm për të shënuar histori. Mbi këtë urë ka kaluar shpesh edhe Rexhep Voka i Shipkovicës, në udhëtimet e tij atdhetare. Ka kaluar edhe Sheh Mustafa Tetova, nënkryetari i Lidhjes Shqiptare të Prizrenit (1878), gjatë misioneve të tij kombëtare në vijën Tetovë-Stamboll-Prizren, i cili kishte shtëpinë në Çarshinë e Epërme, nja dyqind metra prej aty. Aty ka kaluar edhe Dervish Cara, me kryengritësit e tij, ka kaluar edhe Mehmet pashë Deralla, i cili shkoi në Vlorë më 28 nëntor 1912, në përqafim të Ismail Qemalit, për themelimin e shtetit shqiptar, për të marrë edhe përgjegjësi konkrete për ngritjen e ushtrisë shqiptare, në funksionin e ministrit të parë shqiptar të Mbrojtjes. Aty ka kaluar edhe i ati i tij, Hasan Pasha, për të marrë pjesë në Kuvendin e madh të Lidhjes së Prizrenit. Aty ka kaluar edhe Abdurrahman Pasha, i cili ndërtoi Kalanë mbi Balltepe, zgjeroi dhe e zbukuroi Xhaminë e Larme (të Pashës), ndërtoi urën e gurit pranë kësaj xhamie dhe objekte të tjera sakrale. Kaloi edhe i ati i tij, Koxha Hasan Pasha. Kaluan edhe shumë trima e atdhetarë tetovarë, të njohur e të panjohur… Tash mund ta imagjinoni se pse u shemb kjo urë…!?