Pandemia e koronavirusit i kushtoi industrisë globale të turizmit 320 miliardë dollarë humbje, në periudhën janar-maj të vitit 2020, bëri të ditur Organizata Botërore e Turizmit, që funksionon pranë Kombeve të Bashkuara.

Në një raport të publikuar të martën, organizata tha se kjo humbje është tri herë më e madhe se ajo nga kriza globale financiare e vitit 2009.

Numrat e turistëve kanë rënë gjithashtu për 300 milionë gjatë kësaj periudhe, apo për 56 për qind krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit të kaluar, thuhet në raport.

Deri te kjo ka ardhur pasi masat e izolimit kanë ndërprerë udhëtimin ndërkombëtar.

“Të dhënat e fundit qartësojnë rëndësinë e rinisjes së turizmit sa më parë që të jetë e sigurt”, tha sekretari i përgjithshëm i Organizatës Botërore të Turizmit, Zurab Pololikashvili.

“Rënia dramatike e turizmit ndërkombëtar vë në rrezik shumë miliona jetë, duke përfshirë edhe vendet në zhvillim”, tha ai.

Organizata Botërore e Turizmit tha se, edhe pse turizmi po kthehet ngadalë në disa destinacione, ky sektor vazhdon të përballet me “rreziqe serioze”, si ringjallja e virusit, që mund të shkaktojë izolime të reja, kufizime në udhëtim dhe mbyllje kufijsh në “shumë destinacione”.

Shtetet e Bashkuara dhe Kina, të dyja burime kryesore të turistëve ndërkombëtarë, janë ende “të bllokuara”, thuhet në raport.

Organizata Botërore e Turizmit parashikoi në muajin maj se hyrjet turistike ndërkombëtare mund të bien nga 60 deri në 80 për qind në vitin 2020, për shkak të koronavirusit.